Fakulteti i Mjekësisë

Fakulteti i Mjekësisë ofron pesë programe studimi në nivelin themelor/bachelor. Programet e ofruara janë:

  • Mjekësi e Përgjithshme - Dr. Med. 360 ECTS

Aktualisht, drejtimi Mjekësi e Përgjithshme në kuadër të Universitetit të Prishtinës përbën programin më prestigjioz dhe më atraktiv për studentët në vend. Çdo vit qindra nxënës më të mirë të shkollave të mesme të Kosovës konkurrojnë për t’u bërë pjesë e Fakultetit të Mjekësisë, programit Mjekësi e Përgjithshme, me një konkurrencë 8-10 studentë për një pozitë.

Objektivat kryesorë të drejtimit Mjekësi e Përgjithshme të Fakultetit të Mjekësisë janë:

  • Përmirësimi i vazhdueshëm i cilësisë së mësimdhënies dhe mësimnxënies me aplikimin e metodave interaktive me studentin në qendër;
  • Arritja e shkathtësive dhe performancës klinike e laboratorike për një punë të pavarur;
  • Zhvillimi i kapaciteteve hulumtuese dhe punës kërkimore;
  • Përgatitja e studentëve për shkëmbime ndërkombëtare me institucionet e arsimit të lartë nëEvropë dhe më gjerë;
  • Sigurimi i infrastrukturës bashkëkohore për arsimim sa më cilësor.

Për më shumë rreth programit, kliko KËTU

  • Stomatologji - Dr. Dent. 360 ECTS

Dega e Stomatologjisë e Fakultetit të Mjekësisë, së bashku me QKSUK-në, është qendër e vetme terciare dhe referente stomatologjike në Kosovë, ka arritur një nivel të lakmueshëm të zhvillimit, ku organizohet mësimi i studimeve të integruara deridiplomike të stomatologjisë, studimet pasdiplomike të doktoratës (PhD) dhe shkollimi pasdiplomik specialistik nga të gjithë lëmenjtë  stomatologjikë.  

Objektivat kryesore të Degës së Stomatologjisë, të programit të studimeve të integruara të Stomatologjisë, janë:

  • të njohin shkencat themelore biologjike, mjekësore, teknike dhe klinike stomatologjike, në mënyrë që të njohin ndryshimin në mes rrethanave normale dhe patologjike, që ndërlidhen me praktikën klinike stomatologjike;
  • të kenë aftësi të kuptuarit dhe zgjidhjes së problemeve, vendimmarrjes, hartimit dhe zbatimit të programit, vlerësimit;
  • demonstrojnë aftësi dhe qëndrim profesional;
  • shfaqin përgjegjësi profesionale,
  • të demonstrojnë aftësinë për të gjetur, analizuar, vlerësuar dhe sintetizuar informacione nga burime të shumta;
  • të jenë të aftë të përdorin teknologjinë bashkëkohore.

Për më shumë rreth programit, kliko KËTU

  • Farmaci - Mr. Ph. 300 ECTS

Programi i Farmacisë është pjesë përbërëse e Fakultetit të Mjekësisë që nga viti 1996. Programi i Farmacisë i plotëson kriteret e përcaktuara në Direktivën Evropiane 2005/36/EC, neni 44, pika 2, për njohjen e kualifikimeve profesionale. Programi i Farmacisë ka për qëllim të ofrojë njohuri të zgjeruara për zhvillimin, prodhimin, sigurimin e cilësisë, përbërjen, përgatitjen dhe ruajtjen, efektet biologjike dhe ndërveprimet e barnave dhe përdorimin e sigurt të tyre. Farmacistët e diplomuar aftësohen për të realizuar aktivitete shkencore, përfshirë planifikimin dhe implementimin e tyre, në mënyrë të pavarur. Ata duhet të jenë në gjendje të integrojnë metodat shkencore dhe gjetjet e shkencave farmaceutike, si dhe në bashkëpunim me shkencat natyrore përkatëse t’i transferojnë ose t’i zbatojnë ato në fusha të tjera relevante. Në veçanti, ata gjithashtu do të zotërojnë njohuritë dhe shkathtësitë e nevojshme për të informuar, edukuar dhe këshilluar pacientët dhe mjekët në të gjitha aspektet relevante të Farmacisë.

Për më shumë rreth programit, kliko KËTU

  • Fizioterapi  - BSc 180 ECTS

Misioni i programit bachelor në Fizioterapi është të edukojë dhe mbështesë studentët, të cilët do të diplomohen me cilësi dhe kompetenca profesionale të përcaktuara dhe të demonstruara, me njohuri bazë në fusha të ndryshme të Fizioterapisë, në mënyrë që të avancojnë shëndetin dhe mirëqenien përmes përgatitjes teorike dhe praktike.

Objektivat kryesorë të organizimit dhe vazhdimit të programit të studimit të Fizioterapisë janë:

  • nevoja që profesionistët e fushës së terapisë fizike dhe disiplinave të tjera që ofrojnë qasje holistike ndaj shëndetit, të studiohen në mënyrë ndërdisiplinore dhe multidisiplinore në Fakultetin e Mjekësisë;
  • të kuptojnë shkencat biologjike, fizike dhe të sjelljes që mbështesin fizioterapinë,
  • të përdorin njohuritë dhe ekspertizën e tyre për të promovuar shëndetin dhe mirëqenien e pacientëve individualë, komuniteteve, popullatës dhe profesionit,
  • mundësia e një arsimimi akademik të nivelit primar,
  • të kuptojnë shkencat biologjike, fizike dhe të sjelljes që mbështesin fizioterapinë,
  • rritja e nevojave të popullsisë për shërbime në këtë fushë,
  • sigurimi i një shërbimi më të mirë të kujdesit shëndetësor,
  • të ofrojë shërbim të cilësisë më të lartë në këtë fushë,
  • ruajtja e standardeve më të larta të bazuara në prova të të nxënit efektiv të studentëve.

Për më shumë rreth programit, kliko KËTU

  • Infermieri – BSc. 180 ECTS

Programi i Infermierisë ka për qëllim edukimin dhe rritjen e aftësive të studentëve në fushën e infermierisë në përputhje me kompetencat profesionale dhe drejt standardeve ndërkombëtare të të diplomuarve në edukimin shëndetësor të infermierisë. Infermierë të diplomuar në profesionin e shëndetit infermier janë punonjës përgjegjës për ofrimin e ndihmës së përgjithshme të infermierisë në përgjigje të problemeve shëndetësore të individit dhe komunitetit dhe në të njëjtën kohë janë në gjendje të ofrojnë kujdes infermieror parandalues, edukues, shërues dhe rehabilitues.

Misioni i programit të Infermierisë, Fakulteti i Mjekësisë, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” është të implementojë një kurrikulum të kualitetit të lartë evropian me mësimdhënës të kualifikuar dhe metodologji bashkëkohore që mundësojnë arritjen e standardeve evropiane për edukimin e profesionistëve të ardhshëm të shëndetit infermieror, duke e lidhur mësimin me hulumtimin përmes rezultateve të matshme dhe njohurive, shkathtësive dhe kompetencave cilësore.

Për më shumë rreth programit, kliko KËTU