Veprimtaria botuese

Publikimet e Universitetit të Prishtinës kanë qenë komponent i hetueshëm dhe shumë i rëndësishëm i universitetit qysh nga njësitë e para të shkollimit superior në Kosovë, si Shkolla e Lartë Pedagogjike-Prishtinë (1958) dhe Fakulteti Filozofik (1960), të cilat i paraprinë themelimit të Universitetit (1970).

Duke përcjell traditën e gjenerimit, të sigurimit dhe, natyrshëm, të avancimit të dijes dhe aspekteve të tjera shkencore e universitare, edhe veprimtaria botuese e Universitetit të Prishtinës ka përfaqësuar mundësinë më kredibile në vendin tonë për qasje në botime shkencore për komunitetin akademik dhe më gjerë.

Burimet zyrtare dhe të qasshme për publikun dëshmojnë për gjurmë të teksteve të botuara me identifikim me Universitetin e Prishtinës, qoftë si botues, qoftë si bartës i të drejtës autoriale, që nga fundi i viteve të 60-ta dhe fillimi i të 70-ve.  

Sipas Bibliografisë së publikimeve mësimore e universitare të botuara në periudhën 1970-1985, përgatitur nga Universiteti i Prishtinës (1985) (Katalogimi në BKK), diktuar nga konteksti politik e social në fillim qëllimi ishte të sigurohej sa më shumë literaturë shkencore në gjuhën shqipe, prandaj edhe pati një angazhim të madh të trupës akademike të atëhershme për përkthim të teksteve të rëndësishme nga gjuhë të huaja kryesisht nga anglishtja, frëngjishtja, serbokroatishtja etj. Tutje, veprimtaria botuese e UP-së u drejtua kah tekstet shkencore e mësimore origjinale, të cilat përbëjnë fondin më të madh tekstor të botuar nga UP-ja dhe që mbulojnë të gjitha njësitë akademike. Në këtë veprimtari, vend të posaçëm zënë edhe revistat, buletinet shkencore dhe botime të tjera periodike, të cilat janë botuar për vite të tëra, duke krijuar kështu një fond solid dhe domethënës për historinë e Universitetit, por edhe të periodikut të Kosovës në përgjithësi. Vlen të përmendet me këtë rast revista Bota e re, e cila ishte organ i studentëve të UP-së dhe numri i parë i saj është arkivuar në vitin 1968 (Katalogimi në BKK). Ndërkaq, edhe pse me natyrë tjetër nga tekstet mësimore, por me sasi dhe cilësi të lartë informacioni e referencash, monografitë janë pjesë e rëndësishme e botimeve të Universitetit, si ato për UP-në, si ato për njësitë akademike, duke përfshirë këtu edhe ato jashtë Prishtinës, duke qenë se për një periudhë të gjatë UP-ja ka pasur njësi akademike që kanë qenë të vendosura në qytete të tjera të Kosovës.

Universiteti i Prishtinës, duke afirmuar rëndësinë e këtij komponenti, ka ndërtuar sistem dhe politikë standarde për ta menaxhuar veprimtarinë botuese, duke themeluar organ mbikëqyrës të posaçëm, duke hartuar legjislacion përkatës, si dhe duke aplikuar përkrahje financiare dhe administrative adekuate.

Autoriteti kryesor për veprimtarinë botuese të UP-së i është dhënë Këshillit Botues, i cili përbëhet nga përfaqësues të të gjitha fushave shkencore e artistike, për të cilat UP-ja ofron programe studimi. Këshilli e mbështet vendimmarrjen në përkrahjen nga njësitë akademike, si dhe recensionimin e dyfishtë të teksteve, duke siguruar kështu mijëra tekste universitare, përkthime, praktikume, përmbledhje detyrash, monografi e botime të tjera të veçanta, të cilat kanë shërbyer dhe shërbejnë si referenca të vlefshme dhe të pakontestueshme për dijet përkatëse.