Fakulteti i Filologjisë
Fakulteti i Filologjisë ofron 10 programe studimi në nivelin master. Programet e ofruara janë:
- Gjuhë Shqipe – MA, 60 ECTS
Programi Gjuhë shqipe MA është i orientuar drejt hulumtimit të mirëfilltë shkencor në fushë të gjuhës shqipe, si përshkrim i strukturave, i funksioneve dhe i përdorimeve të saj. Programi është ndërtuar mbi bazën e nevojave për komunikim të shoqërisë së sotme kosovare dhe mbi faktorin iluminues shoqëror: nevoja për kërkime studimore që shpien para njohuritë tona mbi gjuhësinë përgjithësisht dhe gjuhën shqipe konkretisht.
Programi është dizajnuar në atë mënyrë që theksi kryesor i përgatitjes të vihet mbi aftësitë për përshkrim të gjendjeve gjuhësore, analiza konkrete, punë në terren dhe, në rast nevojë, analiza diakronike, duke pasur për bazë teoritë e gjuhësisë. Në të gjitha lëndët/kurset e programit raporti i përafërt ndërmjet pjesës teorike dhe praktike është 60/40 për qind ose 50/50 për qind.
Programi është menduar si një vegëz konceptuale: studentët kanë lëndë që do të jenë formuese për temën e tyre të masterit. Lëndët ofrohen kryesisht (por jo domosdoshmërisht) në formë të seminareve me shkrim që mendohen të jenë pjesë përbërëse e masterit të kandidatit/kandidates.
Falë bashkëpunimit që ka Departamenti i Gjuhës Shqipe me universitete të ndryshme në botë, posaçërisht me qendrat e Albanologjisë, studentët e masterit në këtë departament mund ta ndjekin njërin semestër të studimeve në ndonjërin nga këto universitete, në vendet si Gjermania, Çekia, Polonia, Italia etj., nëpërmjet programeve të studimit ERASMUS + dhe Mevlana Exchange Programme.
Për më shumë rreth programit, kliko KËTU.
- Letërsi Shqipe – MA, 60 ECTS
Synimi i programit është të sigurojë kontinuitetin akademik të departamentit dhe të krijojë traditë shkencore të studimeve të fushës së letërsisë. Misioni kryesor i këtij programi është të përgatisë profesionistë të mirë. Ky program është përgatitur në pajtim të plotë me parimet e misionit të Fakultetit të Filologjisë dhe në harmoni me misionin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, të deklaruar edhe në aktin më të lartë juridik të tij – Statutin. Të diplomuarit e programit master fitojnë kualifikime të bazuara në studimet baçelor, që u mundësojnë atyre të kryejnë veprimtari praktike dhe / ose shkencore. Pas përfundimit të studimeve, ata janë të aftë të punojnë në vende pune që ndërlidhen me këtë kualifikim. Programi Master i Letërsisë Shqipe, që do të ofrohet nga Fakulteti i Filologjisë, administrohet nga Departamenti i Letërsisë Shqipe nën mbikëqyrjen e organeve relevante të fakultetit.
Për më shumë rreth programit, kliko KËTU.
- Gjuhë dhe Letërsi Gjermane – MA, 60 ECTS
Programi Master në “Gjuhë dhe Letërsi Gjermane” ndërtohet mbi njohuritë dhe shkathtësitë e fituara gjatë studimeve të nivelit baçelor. Programi u ofron mundësi studentëve të zgjerojnë dhe thellojnë njohuritë dhe shkathtësitë e tyre akademike, në mënyrë që të jenë në gjendje të ballafaqohen me problemet teorike dhe praktike të profesionit.
Pas përfundimit të studimeve Master në “Gjuhë dhe Letërsi Gjermane”, studentët përgatiten për karrierë të avancuar akademike dhe profesionale përmes një planprogrami të specializuar në fushën e gjuhësisë gjermane e letërsisë gjermane, gjuhësisë aplikative, metodikës dhe didaktikës, kulturës, si dhe fushave të tjera të hulumtimit, të ndërlidhura me gjermanishten. Duke i përvetësuar dhe aplikuar dituritë në këto fusha, studentët do të aftësohen të identifikojnë, analizojnë dhe zgjidhin probleme të ndërlidhura me nevojat e gjuhësisë dhe letërsisë gjermane, si dhe do të jenë në gjendje t’i vazhdojnë studimet e doktoratës. Të diplomuarit do të zhvillojnë shkathtësi të mendimit kritik, të komunikimit dhe bashkëpunimit ekipor, të etikës profesionale, dhe do të jenë të përgatitur për mësimin tërëjetësor.
Për më shumë rreth programit, kliko KËTU.
- Gjermanishtja si gjuhë e huaj – MA, 60 ECTS
Programi Master “Gjermanishtja si gjuhë e huaj” është hartuar në bashkëpunim me Institutin Goethe, me qëllim të fuqizimit të përgatitjes profesionale të të diplomuarve në fushën e gjermanishtes si gjuhë e huaj.
Pas përfundimit të studimeve Master “Gjermanishtja si gjuhë e huaj”, studentët përgatiten për karrierë të avancuar akademike dhe profesionale, përmes një planprogrami të specializuar në fushën e metodikës dhe didaktikës, kulturës, gjuhësisë aplikative si dhe fushave të tjera të hulumtimit, të ndërlidhura me gjermanishten si gjuhë e huaj. Duke i përvetësuar dhe aplikuar dituritë në këto fusha, studentët do të aftësohen të identifikojnë, analizojnë dhe zgjidhin probleme të ndërlidhura me nevojat e gjermanishtes si gjuhë e huaj, si dhe do të jenë në gjendje t’i vazhdojnë studimet e doktoratës. Të diplomuarit do të zhvillojnë shkathtësi të mendimit kritik, të komunikimit dhe bashkëpunimit ekipor, të etikës profesionale dhe do të jenë të përgatitur për mësimin tërëjetësor.
Për më shumë rreth programit, kliko KËTU.
- Letërsi Angleze – MA, 60 ECTS
Programi 1-vjeçar MA në Letërsi Angleze është konceptuar si arsimimi i mëtejmë akademik, me lëndë që mundësojnë kualifikimin në fushën e letërsisë angleze e amerikane, të letërsive në anglishte, si dhe të metodologjisë së mësimdhënies. Lëndët me zgjedhje mundësojnë zgjerimin dhe thellimin e njohurive në fusha të caktuara, varësisht nga interesimet e studentëve. Programi ofron në nivel të barabartë përvetësimin e kompetencave teorike dhe praktike që mundësojnë angazhimin fleksibil në tregun e punës, por edhe për studime të mëtutjeshme, të doktoratës.
Për më shumë rreth programit, kliko KËTU.
- Master / MA i Gjuhës angleze (Program i integruar i gjuhësisë) – MA, 60 ECTS
Programi 1-vjeçar MA “Gjuhë dhe Letërsi Angleze – Programi i integruar i Gjuhësisë” është konceptuar si arsimim i mëtejmë akademik, me lëndë që mundësojnë kualifikimin në fushën e mësimdhënies, përkthimit dhe hulumtimit filologjik. Lëndët me zgjedhje mundësojnë zgjerimin dhe thellimin e njohurive në fusha të caktuara, varësisht nga interesimet e studentëve. Programi ofron në nivel të barabartë përvetësimin e kompetencave teorike dhe praktike që mundësojnë angazhimin fleksibil në tregun e punës, por edhe për studime të mëtutjeshme të doktoratës.
Për më shumë rreth programit, kliko KËTU.
- Gjuhë dhe Letërsi Frënge – MA, 60 ECTS
Programi Master në Gjuhë dhe Letërsi Frënge është konceptuar si një kualifikim më i zgjeruar i studimeve themelore baçelor, pra u ofron mundësi studentëve të zgjerojnë dhe thellojnë njohuritë dhe shkathtësitë e tyre akademike, në mënyrë që të jenë në gjendje të ballafaqohen me problemet teorike dhe praktike të profesionit dhe t’i vazhdojnë studimet e tyre në ciklin e mëtejmë, në studimet e doktoratës.
Mbi bazën e sistemit evropian të transferit dhe akumulimit të kredive, secila lëndë mësimore ka numër të orëve/ngarkesës së studentëve në përputhje me vlerën e ECTS. Programi është i organizuar në një vit studimor dhe dy semestra. Të dy semestrat përmbajnë lëndë mësimore dhe studenti njëkohësisht duhet planifikuar kohen e duhur për përgatitjen e temës së diplomës.
Për më shumë rreth programit, kliko KËTU.
- Studime kulturore orientale – MA, 60 ECTS
Me qëllim të krijimit të mundësisë për kualifikim më të gjerë dhe më profesional akademik, Departamenti i Orientalistikës ka hartuar programin e Masterit shkencor të Studimeve Kulturore Orientale, me të cilin synohet thellimi dhe avancimi i dijeve dhe njohurive të fituara gjatë studimeve themelore bachelor me 240 ECTS. Programi aplikon teoritë dhe metodologjitë më të reja të studimeve kulturore dhe kritike. Duke pasur parasysh të kaluarën orientale të vendit dhe rajonit, dhe rishfaqjen e shtrirjen e ndikimit të elementeve orientale, si dhe zhvillimet e dekadave të fundit në sferën kulturore në vend, programi Master shkencor i Studimeve Kulturore Orientale krijon njohës të këtyre dimensioneve kulturore, të cilët do të kenë mundësi të interpretojnë fenomenet e reja me karakter oriental në shoqërinë tonë.
Rëndësia e këtij programi qëndron në atë se studimet do të zhvillohen mbi teoritë dhe metodologjitë më të fundit të studimeve kritike e kulturore, çka mundëson krijimin e një qasjeje të re në fushën e studimeve orientale.
Rëndësia tjetër e këtij programi është se ua mundëson studentëve të vazhdojnë studimet e tyre në ciklin e mëtejmë, studimet e doktoratës, që natyrisht nënkupton mundësi më të hapura në tregun e punës.
Për më shumë rreth programit, kliko KËTU.
- Gjuhë dhe Letërsi Turke – MA, 60 ECTS
Departamenti i Gjuhës dhe i Letërsisë Turke është angazhuar që ky nivel i studimeve të përqendrohet në ndërtimin e një infrastrukture për aftësimin e kuadrove që synojnë të thellohen në shkencën e turkologjisë, respektivisht në studimin e gjuhës dhe të letërsisë turke. Prandaj programi MA i këtij departamenti të karakterit shkencor do të përgatisë kuadro që synojnë të krijojnë një karrierë akademike në këtë fushë, por edhe studiues të kësaj fushe.
Programi Master i gjuhës dhe letërsisë turke që do të ofrohet nga Fakulteti i Filologjisë, administrohet nga Departamenti i Gjuhës dhe Letërsisë Turke, nën mbikëqyrjen e organeve relevante të fakultetit.
Për më shumë rreth programit, kliko KËTU.
- Gazetari dhe Marrëdhënie me Publikun – MA, 120 ECTS
Studentët gjatë studimeve nxënë kompetenca në fushën teorike dhe praktike. Në kuadër të këtij programi master studentët zhvillojnë një shkallë të lartë të profesionalizmit, që u mundëson atyre të jenë të përgjegjshëm dhe të reflektojnë për fushën e tyre profesionale. Ky program ka për qëllim t’i aftësojë studentët që:
- të zbatojnë njohuritë e thelluara shkencore në fushën e gazetarisë dhe shkencave të komunikimit,
- të vjelin materiale për studime duke zbatuar metoda përkatëse shkencore,
- të identifikojnë specifikat e të nxënit të studimit të medias dhe komunikimit,
- të planifikojnë aktivitete mësimore të bazuara në rezultatet e pritura,
- të përdorin strategji të ndryshme të mësimit dhe të vlerësimit,
- të përgatisin hulumtime të ndryshme në fushën e medias dhe të përdorin mediat digjitale në procesin mësimor.
Për më shumë rreth programit, kliko KËTU.