Nënshkruhet marrëveshja e bashkëpunimit për punë praktike të të diplomuarëve nga fakultetet teknike
Të diplomuarit nga Fakulteti Teknik në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” do të mund të kryejnë punë praktike, falë marrëveshjes së nënshkruar ndërmjet UP-së, Agjencisë së Punësimit të Republikës së Kosovës dhe organizatës GIZ.

Për këtë marrëveshje rektori i UP-së prof. dr. Marjan Dema, tha se është një hap tjetër drejt ndërlidhjes së tregut të punës me arsim. 

“Si pari i Universitetit të Prishtinës, asgjë nuk ka më tepër vlerë sesa që studentët tanë, përmes njohurive që kanë mësuar në Universitet, të arrijnë të krijojnë karrierë e të jenë të dobishëm për shoqërinë. Uroj që ky memorandum të shënoj një hap të mbarë në zhvillimin e karrierës se tyre, e njëherësh, në krijimin e kuadrove profesionale të cilat do t’i shërbejnë shoqërisë sonë”, tha rektori.

Ndërsa, përfaqësuesi i GIZ-it dr. Klaus Bader – Labarre, tha se është i lumtur për lansimin e këtij programi. 

“Jam i lumtur që jemi këtu për të lansuar këtë program punësimi, për të iu ofruar 300 studentëve të diplomuar punë praktike”, tha ai.  

Z. Muhamet Klinaku nga Agjencia e Punësimit të Kosovës, tha se ky projekt synon të zbusë papunësinë tek të rinjtë kosovar.

“Ajo që na shqetëson më së shumti është që një pjesë e madhe e të rinjve nuk kanë njohuri për tregun e punës. Andaj, ky projekt është një motivim për të gjithë ata që kanë diplomuar në fakultetet teknike”, tha ai.

Sipas kësaj marrëveshje, 300 të diplomuar në vitin 2018 - Janar 2020, nga fakultetet teknike parashihet të përfitojnë punë praktike, e cila do të zgjasë gjashtë muaj. Gjithashtu, praktikantëve do u ofrohet sigurim ndaj aksidentit në punë dhe do të bëhet kompenzimi mujor prej 150 euro.