Projekti “Brigde” trajnon studentët e UP-së për teknologji
Fakultetit i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike i Universitetit të Prishtinës "Hasan Prishtina" është nikoqir i punëtorisë “Si të bëhesh zhvillues softueri i dalluar”, i cili ka për qëllim thellimin e bashkëpunimit në mes të institucioneve arsimore dhe sektorit privat në fushën e TIK-ut.

E për këto iniciativa, prorektorja për zhvillim dhe cilësi në UP, prof. asoc. dr. Merita Koçinaj – Berisha, tha se ndihmojnë në ngritjen e cilësisë dhe janë prioritare për menaxhmentin e universitetit.

“Teknologjia dhe inovacioni i bashkëngjiten çdo profesioni sot, andaj një moment i parë diskutimi dhe reflektimi se si të avancojmë më tej në rrugëtimin tonë të përbashkët drejt krijimit të kurikulave konform kërkesave të tregut të punës dhe zhvillimit të shkathtësive të studentëve në fushën e TIK-ut do të shënojë përpjekjet e vazhduara të menaxhmentit të UP-së, duke bashkëkoordinuar nevojat nga FIEK-u dhe FSHMN-ja, me qellim fuqizimin e lidhjes ndërmjet tregut të punës dhe universitetit në fushën e TIK-ut”, tha prorektorja.

Këto punëtori po zhvillohen në kuadër të projektit “Bridge”, përfitues të të cilit janë studentët e vitit të dytë dhe të tretë të studimeve të nivelit baçelor si dhe të diplomuarit.

“Bridge” është mundësuar nga Qendra për Zhvillim të Karrierës në UP, Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, Fakulteti i Shkencave Matematiko Natyrore si dhe Shoqata për Teknologji të Informacionit dhe Komunikimit e Kosovës, si iniciativë e dalur nga cikli i tryezave të rrumbullakëta të UP-së: “Fuqizimi i mundësive të punësimit për studentët dhe të diplomuarit e Universitetit të Prishtinës” dhe “Zhvillimi i shkathtësive të studentëve të TIK – mundësitë dhe përfitimet”.