In memoriam: Prof. dr. Peter Eckl
Me pikëllim të thellë e morëm lajmin që ka ndërruar jetë prof. dr. Peter Eckl, një shkencëtar eminent i përmasave ndërkombëtare në fushën e Gjenetikës dhe Toksikologjisë Mjedisore. Si profesor i Universitetit të Salzburgut, ka iniciuar bashkëpunimin me Universitetin e Prishtinës dhe ka qenë i përfshirë në një numër të madh të projekteve dhe aktiviteteve tjera të përbashkëta.

Kontributi i prof. Eckl ka qenë kyç që, në bashkëpunim me kolegë nga Departamenti i Biologjisë, të fitohen dhe implementohen gjashtë projekte (dy nga fonde të BE-së dhe katër të Agjencisë Austriake për Zhvillim), të cilat kanë ngritur kapacitete kërkimore të Universitetit të Prishtinës.

Prof. Eckl ka qenë mentor i katër doktorantëve nga Kosova, dy prej të cilëve janë staf akademik i Universitetit të Prishtinës. Për më tepër, shtatë studentë të Universitetit të Prishtinës dhe një profesor kanë pasur rastin që të kenë qëndrime kërkimore në laboratorin e tij në Universitetin e Salzburgut. Produkt i rëndësishëm i këtij bashkëpunimi janë zhvillimi i kurrikulës, avancimi i infrastrukturës laboratorike dhe instalimi i metodologjive të reja kërkimore në Departamentin e Biologjisë (Laboratorin e Gjenetikës) si dhe tetë punime shkencore të botuara në revista prestigjioze dhe nëntë prezantime në konferenca ndërkombëtare me fokus trajtimin e çështjeve mjedisore dhe të shëndetit publik në Kosovë. Duke shtuar edhe punën në tema tjera kërkimore, bashkëpunimi me kolegë nga Departamenti i Biologjisë ka rezultuar në tërësi me 15 artikuj shkencorë, 25 konferenca dhe 5 kapituj librash, duke e avancuar pozitën e Universitetit të Prishtinës në databazat relevante. Prof. Eckl ka kontribuar edhe në implementimin e programit të Doktoratës në Departamentin e Biologjisë si ligjërues vizitor.

Prof. Eckl ka mbështetur Universitetin e Prishtinës edhe në kuadër të dy projekteve TEMPUS në ngritjen e strukturave dhe mekanizmave të sigurimit të cilësisë në Universitetin e Prishtinës dhe avancimin e rolit të studentëve në institucionet e arsimit të lartë në Kosovë.

Përveç përfshirjes së drejtpërdrejtë në projekte me Universitetin e Prishtinës, prof. Eckl ka qenë gjithmonë në dispozicion për vënien e bashkëpunimit të Universitetit të Prishtinës edhe në fusha tjera me kolegët e tyre në Universitetin e Salzburgut dhe me institucione tjera, që ka rezultuar me bashkëpunime intensive dhe të frytshme.

Bazuar në kontributin e tij, partneriteti me Universitetin e  Salzburgut është ngritur në nivel të rëndësisë strategjike për Universitetin e Prishtinës, për të cilin Universiteti i Prishtinës do t’i jetë përjetë mirënjohës.

Pusho në paqe, prof. Peter Eckl!


Prof. dr. Marjan Dema
Rektor