Rektori Dema pret Komisionin për Edukim të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë

Prof. Dr. Marjan Dema, Rektor i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, priti sot në rektorat Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë të kryesuar nga znj. Fatjona Dhimitri, kryetare e këtij komisioni. Komisioni i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë shoqërohej nga zt. Ismajl Kurteshi, Kryetar i Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi i Kuvendit të Republikës së Kosovës. Rektori Dema prezantoi para të pranishmëve reformat e gjithashme të kryera në Universiteti i Prishtinës për ngritjen e cilësisë në mësimdhënie, rritjen e rangimeve në ranglista me renome ndërkombëtare, ndërkombëtarizimin më të madh, rolin më të theksuar në shoqëri dhe në veçanti punën e bazuar në vlerat themelore të arsimit të lartë. Po ashtu, rektori Dema kërkoi mbështetjen e përfaqësuesve të legjislativit të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës për avancimin e mëtejshëm të agjendës së përbashkët për bashkëpunim ndëruniversitar shqiptar dhe më gjerë. Znj. Milva Ekonomi, zëvendëskryetare e Komisionit, bëri një ekspoze të zhvillimeve të arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë dhe ndau me të pranishmit çështje të rëndësishme për shkëmbim përvojash dhe punë të përbashkët. Znj. Dhimitri shprehu angazhimin e komisionit, që drejton, për mbështetje më të madhe të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për bashkëpunim më të madh midis universiteteve shqiptare. Po ashtu, zt. Kurteshi falënderoi rektorin Dema për mikpritjen dhe bashkëpunimin për çështjet e arsimit të lartë.