Studentët e UP-së me hulumtim e ekspozitë kujtojnë 20 vjetorin e eksodit kosovar
Studentët e vitit të dytë të Degës së Sociologjisë së Fakultetit Filozofik dhe studentët të Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, janë bërë bashkë për të sjellë kujtimet nga 20 vjetori i dëbimit të shqiptarëve nga Kosova.

Sociologët e ardhshëm këtë ditë e shënuan me prezantimin e hulumtimit “Kujtesa përballë Harresës - 20 vjetori i dëbimit nga Kosova 1999 – 2019”, hulumtim ky i realizuar në bashkepunim me profesorët: prof. ass. dr. Shemsi Krasniqi dhe ma. ass. Artan Krasniqi.

Krenar me studentët u shpreh dekani i Fakultetit Filozofik, prof. dr. Bujar Dugolli. Ai inkurajoi studentët edhe të degëve të tjera, që të bëjnë hulumtime të tilla në mënyrë që të mos harrohet e kaluara e Kosovës.
“Fakulteti Filozofik inkurajon edhe departamentet tjera të bëjnë hulumtime, sepse ajo që ndodhi pas Luftës së Dytë Botërore, po të mos kujtohej e shkruhej për të me qindra e mijëra faqe e artikuj, atëherë nuk do të dilte e vërteta mbi atë që ka ndodhur”, tha Dugolli.

Ndërsa, iniciuesi i këtij hulumtimi  dhe njëherit profesor në Degën e Sociologjisë, prof. ass. dr. Shemsi Krasniqi, tha se qëllimi i këtij hulumtimi është ruajtja dhe kujtimi i historisë së popullit shqiptar.
“Për të realizuar hulumtimin janë përdorur intervistat si metodë hulumtuese, me ç’rast janë intervistuar 220 persona nga 22 komuna të Kosovës”, tregoi Krasniqi.

Për të plotësuar mozaikun e ngjarjes së para 20 viteve, studentët e artit në hollin e Fakultetit Filozofik ekspozuan punimet dhe artefaktet e tyre.

Megzime Ibrahimi, pjesëmarrëse në ekspozitë, u shpreh e lumtur që fakulteti i ka dhënë mundësinë të sjellë artefakte dhe fotografi për të dëshmuar eksodin.
“Në këtë ekspozitë kam sjellë veshje nusërie dhe fotografi të mbijetuara nga periudha e luftës. Këto i kam sjellë, sepse dëshmojnë rezistencën që shqiptarët kanë bërë ndaj serbëve dhe me fanatizëm i ruajnë edhe sot”,  tha Megzimja.

Pjesëmarrës në këtë prezantim, përveç studentëve e profesorëve, ishin edhe studentët e Universitetit të Gjenevës, Zvicër.