UP-JA RENDITET NË VENDIN E 2668-TË NË WEBOMETRICS

Në përditësimin e fundit të publikuar nga ranglista e rangimit të universiteteve botërore, Webometrics, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” është ranguar në vendin e 2668-të në botë.

Për rektorin e UP-së, prof. dr. Marjan Dema, ngritja e UP-së paraqet lajmin më pozitiv për arsimin e lartë. Sipas tij “UP-ja po vazhdon fuqishëm ta përmirësojë rangimin botëror të tij, me çka po përfaqëson me dinjitet edhe Kosovën, kudo në botë”.  
Dema këtë sukses ia atribuon stafit akademik të UP-së, teksa për këtë arritje, përgëzon organet drejtuese dhe menaxhuese, stafin administrativ dhe studentët e UP-së.
“Shumë profesorë tanë kanë punuar jashtëzakonisht shumë që t’i kontribuojnë hulumtimit në disiplinat e tyre akademike, gjë e cila shpërfaq aftësitë dhe dedikimin e tyre për Universitetin, mund i cili rezultoi me një sukses të tillë për UP-në dhe vendin tonë”, tha Dema.

Progresi i UP-së në këtë drejtim është edhe si rezultat i punës së Zyrës për Kërkime dhe Projekte të Sponsorizuara, e themeluar në vitin 2018, e cila ka si objektiv mbështetjen e kërkimit dhe financimin e projekteve të stafit akademik. UP-ja në këtë drejtim është përkrahur edhe nga partnerë të tjerë vendorë dhe ndërkombëtarë.   

Webometrics është një prej rangimeve më të rëndësishme botërore, i zhvilluar nën patronatin e Këshillit të Lartë të Kërkimit Shkencor (Consejo Superior de Investigaciones Cientificas - CSIS), me qendër në Madrid, njësi e Ministrisë së Edukimit të Spanjës.

Cybermetrics është një ranglistë jofitimprurëse e cila “nuk pranon pagesa për përfshirje në rangim, as edhe oferta për reklamim të ndonjë universiteti”.

Më shumë rreth Webometrics, gjeni në linkun e zyrtar të ueb faqes së tyre: http://www.webometrics.info/.