Mbahet sesioni informues për studentët përfitues të bursave për shkëmbim semestral Erasmus+
Në rektoratin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, u zhvillua takimi informues dhe rrjetëzues për studentët e UP-së, përfitues të bursave për mobilitete semestrale në universitete partnere, në kuadër të programit Eramus+.

Ky sesion informues u organizua nga Zyra për Marrëdhënie me Jashtë në UP, për mbi 70 studentët përfitues nga ky program këmbimi.

Zyrtarja për bashkëpunim ndërkombëtar në UP, znj. Aferdita Rexhepi, i informoi studentët e pranishëm në detaje për mundësitë që ofron kjo bursë, për obligimet që kanë ndaj Universitetit të Prishtinës dhe universitetit nikoqir, si dhe për procedurat e tjera të nevojshme administrative.

Përveç kësaj, ajo i ftoi studentët që gjatë kësaj eksperience të krijojnë kontakte dhe ta promovojnë UP-në dhe Kosovën, duke i ftuar në veçanti që t’i informojnë studentët ndërkombëtarë edhe për mundësinë që UP-ja ofron për ta në kuadër të Universiteti Veror të Prishtinës, ku sivjet do të organizohet edicioni i 19-të i tij.
“Ju, përveç vetes suaj, në këtë rrugëtim, përfaqësoni edhe vendin tuaj dhe Universitetin e Prishtinës. E bindur që jeni më të mirët, ju ftoj që të jepni më të mirën nga vetja juaj dhe të shërbeni edhe si ambasadorë të Kosovës në këtë eksperiencë,” tha Rexhepi.

Ky takim, i cili si synim pati edhe rrjetëzimin e studentëve në mes vete, u pasua me pyetje dhe diskutim nga ana e studentëve pjesëmarrës.

Studentët në fjalë kanë përfituar bursa për të vijuar semestrin e ardhshëm në universitete partnere në vendet si në vijim: Finlandë, Poloni, Itali, Portugali, Gjermani, Turqi, Letoni dhe Francë.

Erasmus+ është një program i këmbimit të studentëve në Bashkimin Evropian (BE). Pjesë e këtij projekti është edhe Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, ku në vazhdimësi UP-ja ka mundësuar mobilitete të shumta për studentët e tij në universitete ndërkombëtare. Vetëm gjatë vitit 2018, mbi 200 studentë të UP-së kanë qenë pjesë e shkëmbimeve semestrale në universitete partnere.

Thirrjet për aplikim në kuadër të programit Eramus+ për studentët e UP-së mund t’i gjeni në vegëzën në vijim: https://uni-pr.edu/page.aspx?id=1,28.