Rektori Dema viziton Parlamentit Studentor – uron kryesinë e re
Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Marjan Dema ka vizituar sot zyret e Parlamentit Studentor të Universitetit të Prishtinës, ku është pritur në takim nga kryesia e re e këtij organi. I shoqëruar nga prorektori i UP-së, prof. dr. Dashamir Berxulli, Dema i uroi kryesisë së re të PS-së marrjen e detyrës në krye të organit më të lartë të përfaqësimit studentor në kuadër të Universitetit.

Gjatë këtij takimi, Rektori Dema theksoi gatishmërinë e menaxhmentit për të bashkëpunuar ngushtë me Parlamentin Studentor, që së bashku me strukturat e tjera të Universitetit, të shtyjnë përpara procese në të mirë të cilësisë dhe funksionimit të këtij institucioni.

Dema informoi studentët lidhur me progresin që është bërë së fundi në UP, teksa kërkoi nga ata që të jenë sa më kritikë por edhe objektivë në punën e tyre. 
“Jam shumë i interesuar që jetën studentore ta gjallërojmë, kryesisht duke krijuar klube të studentëve për interesa të përbashkëta, në mënyrë që studentët të kenë mundësi të debatojnë për tema të ndryshme, si: leximi, sporti, etj., dhe prej këtu të krijohen liderë, të cilët i mungojnë aq shumë shoqërisë tonë”, tha ndër të tjerash rektori Dema.  

Kryetari i Parlamentit Studentor, z. Arben Elshani, falënderoi rektorin Dema dhe prorektorin Berxulli për vizitën, teksa përfaqësimin e studentëve e konsideroi si punë me përgjegjësi të lartë.

Ai u shpreh shumë optimist që së bashku me strukturat menaxheriale të UP-së, do të bashkëpunojnë ngushtë në mirëfunksionimin e Universitetit.“Besojmë se do të kemi bashkëpunim të mirë me këshillat e studentëve në kuadër të fakulteteve, e me menaxhmentin, Këshillin Drejtues dhe administratën, në menyrë që te krijojmë nje ambient më të mirë për studentët e UP-së” tha Elshani.

Ardhjen në kryesi të Parlamentit Studentor, studentëve të pranishëm ua uroi edhe prorektori Berxulli. Ai i ftoi që të fillojnë me organizimin e aktiviteteve në mënyrë që jeta studentore të jetë më aktive, teksa u premtoi qe koha e tij është ne cdokohe në dispozicion të studentëve.

Takimi ka vazhduar me bashkëbisedimin ndërmjet Rektorit Dema dhe përfaqësuesve të tjerë të PS-së, të pranishëm në këtë takim.

Kryesia e re e Parlamentit Studentor, e udhëhequr nga studenti Arben Elshani, ka marrë mandatin që nga 1 tetori i këtij viti.