Nis edicioni i 18-të i Universitetit Veror Ndërkombëtar të Prishtinës
Me një ceremoni solemne të organizuar në ambientet e Amfiteatrit të Bibliotekës Qendrore Universitare u bë hapja e edicionit të 18-të të Universitetit Veror Ndërkombëtar të Prishtinës.

Për dallim nga edicioni paraprak, kësaj radhe Universiteti Veror është zgjeruar edhe më tepër, duke e rritur numrin e studentëve dhe profesorëve pjesëmarrës, përkatësisht nga 11 kurse sa kanë qenë në vitin paraprak, edicioni i sivjetmë karakterizohet me 15 kurse.

Hapjen e edicionit të 18-të të UVP-së e bëri Rektori i UP-së, prof. dr. Marjan Dema. Dema në fjalimin e tij u uroj mirëseardhje të gjithë të pranishmëve, veçanërisht u uroi mirëseardhje të ngrohtë studentëve dhe profesorëve ndërkombëtarë në gjuhët e tyre, teksa falënderoi që kanë zgjedhur UVP-në për të kaluar rreth dy javë akademike dhe qytetin e Prishtinës si nikoqir të tyre gjatë kësaj periudhe.

Dema uroi studentët për një përvojë të paharrueshme, duke iu drejtuar me këto fjalë:
“Tani kur iu drejtohem më vie në mendje thënia e shkrimtarit amerikan Brian Herbert, i cili thoshte: “Kapaciteti për të mësuar është dhuratë, aftësia për të mësuar është shkathtësi, ndërkaq gatishmëria për të mësuar është një zgjedhje”. Me rrugëtimin tuaj deri këtu, ju keni dëshmuar se posedoni virtytin kryesor që një individ i suksesshëm duhet ta ketë, e ai është angazhimi dhe gatishmëria për të marrë përsipër sfida dhe rrugëtime për të mësuar më tepër”.

Dema falënderoi partnerët dhe donatorët, profesorët pjesëmarrës dhe organizatorët nga UP për punën e bërë në realizimin e suksesshëm të këtij edicioni të UVP-së.

Fillimin e edicionit të sivjetmë të UVP-së e përshëndeti edhe zëvendësministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Heset Sahiti. Zëvendësministri Sahiti u uroi mirëseardhje studentëve dhe profesorëve, teksa e konsideroi Universitetin Veror si një aktivitet me një rendësi të madhe që po kontribuon në ndërkombëtarizimin e Universitetit të Prishtinës për vite me radhë.

Edicioni i 18-të i UVP-së ka sjellë në Universitetin e Prishtinës 344 studentë, prej tyre studentë nga vendet fqinje por, edhe nga vende më të largëta si: Argjentina, Ekuadori, Jordania, Nepali, Spanja, Arabia Saudite, Tunizia, Turkmenistani, Jemeni, Egjipti, e vende të tjera të botës.

Përveç kurseve, studentët do të kenë mundësinë të marrin pjesë edhe në punëtori të ndryshme gjatë dy javëve sa do të mbahet Universiteti Veror. Ky edicion i Universitetit Veror Ndërkombëtar të  Prishtinës do të zgjasë deri më 20 korrik 2018.