Informim rreth zhvillimeve të implementimit të programit të PhD-së në Inxhinieri Kompjuterike për Sistemin e Arsimit Kosovar (PhDICTKES)
PhD ICT KES është një projekt i mbështetur nga Bashkimi Evropian në kuadër të programit Erasmus+ Key Action 2 dhe i udhëhequr prej Universitetit Linnaeus, Suedi. Projekti është planifikuar të implementohet brenda tre vjetëve, gjatë periudhës nëntor 2019 - nëntor 2022.

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” (UP) është i vetmi institucion i arsimit të lartë në Kosovë, i cili, për vite të tëra, ka ofruar programe të studimit PhD në fushën e TIK-ut (PhD në Inxhinieri Kompjuterike), dhe është aktualisht në fazën e akreditimit me një program të ri të studimit PhD në këtë fushë. Për më tepër, UP-ja është i vetmi universitet në vendin tonë me traditë dhe i akredituar tashmë në të tria nivelet e studimit, ato baçelor, master dhe PhD në Inxhinieri Kompjuterike, Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike.

Qëllimi i projektit është që të angazhohemi për të ofruar një sërë rekomandimesh lidhur me studimet PhD karshi nevojave të Kosovës, gjegjësisht për të zhvilluar një kurrikulë model, si dhe një udhëzues dhe dokumente strategjike dhe rregullative rreth implementimit të saj. Më tej, planifikohet të themelohet një “Shkollë Kombëtare PhD në TIK”, e cila do të fasilitonte studimet PhD në këtë fushë në Kosovë, bazuar në përvojën e universiteteve të vendeve partnere të BE-së, të cilat janë pjesëmarrëse në projekt. Përveç akademisë, edhe Ministria e Arsimit dhe e Shkencës dhe trupi akreditues i Kosovës janë të përfshirë në implementimin e projektit për të mbuluar çështjet që kanë të bëjnë me politikat në studimet PhD, si dhe përfaqësues të biznesit, në mënyrë që të përmbyllet cikli i palëve me interes që do të formësojnë dhe mbështesin studimet PhD në fushën e TIK-ut.

UP-ja ka mundësinë të përfitojë nga projekti duke zgjeruar përvojat e veta në dizajnimin, zhvillimin dhe implementimin e kurrikulave të nivelit PhD në fushën e TIK-ut, duke pasur parasysh përvojën e universiteteve partnere nga BE-ja, të cilat janë pjesëmarrëse në projekt, dhe duke e përfshirë stafin e tij dhe studentët në projekt, por gjithashtu duke vendosur infrastrukturë të re për hulumtime shkencore, si dhe duke i avancuar praktikat e saj në përkrahje të studimeve PhD në fushën me prosperitet të TIK-ut në Kosovë.

Konsorciumi i projektit përbëhet prej:

  1. Linnaeus University, Suedi – Fituesi i grantit (Lnu)
  2. Norvegian University of Science and Technology, Norvegji (NTNU)
  3. South East Research Center, Greqi (SEERC)
  4. Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” (UP)
  5. Universiteti i Biznesit dhe Teknologjisë (UBT)
  6. Universiteti i Prizrenit “Ukshin Hoti” (UHU)
  7. Ministria e Arsimit dhe e Shkencës (MASH)
  8. Agjencia Kosovare e Akreditimit (AKA)

Për t’u informuar më shumë rreth projektit, ju lutem vizitoni uebsajtin: https://phdictkes.eu/