BONEVET, me donacion për Universitetin e Prishtinës
Në rrethanat e krijuar si pasojë e pandemisë COVID-19 dhe nevojës së shprehur për respektimin e masave mbrojtëse, të promovuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë - OBSH dhe rekomandimet e dala nga Qeveria e Kosovës, fondacioni "BONEVET", me qendrat në Prishtinë dhe Gjakovë, i ka dhuruar 330 mburoja për fytyrë Universitetit të Prishtines “Hasan Prishtina”. Mburojat e fytyrës janë dhuruar me qëllim të rritjes së shkallës së sigurisë në ambientet e punës për menaxhmentin dhe stafin administrativ të Universitetit të Prishtinës.

Prof. asoc. dr. Merita Berisha - prorektore për zhvillim dhe cilësi, njëkohesisht udhëheqëse e Komisionit për Emergjenca në UP, shprehu falënderimin në emrin e rektorit Dema për donacionin e dhuruar nga BONEVET.
"Deshiroj t’ju falënderoj për solidarizimin dhe kontributin e dhënë per universitetin, veprim ky i cili, përveç anës materiale të investuar, përcjell një mesazh mirësie dhe mbështetjeje për një komunitet profesionistësh staf menaxherial e administrativ, të cilët i dedikohen promovimit të cilësisë në Universitetin e Prishtinës dhe realizimit të aktiviteteve të parapara në planin strategjik të UP-së," tha prorektorja Berisha.

Prorektorja Berisha theksoi se fondacioni "BONEVET", me tri qendrat e tij në Prishtinë, Gjakovë dhe Kaçanik, gjithmonë ka treguar dhe përcjellë në komunitet mbështetjen dhe shpirtin e solidaritetit, duke u bërë pjesë e shumë iniciativave dhe kontributeve të ndryshme për komunitetin përgjatë rrethanave të ndrryshme të krijuara në vitet e fundit.

Komiteti për Emergjenca në Universitetin e Prishtinës, në vazhdimësi, bashkërendon kontributet dhe iniciativat në sigurimin e masave mbrojtëse, si kjo e filluar kohë më parë me fondacionin "BONEVET", dhe mbetet i hapur për bashkëpunime tjera, në mënyrë që bashkërisht ta tejkalojmë me sa më pak pasoja pandeminë COVID-19.

Donacioni me mburoja të fytyrës u koordinua nga stafi i Qendrës për Zhvillim të Karrierës në Universitetin e Prishtinës "Hasan Prishtina", në bashkëpunim me "BONEVET" në qendrat Prishtinë dhe Gjakovë.