Fakulteti Filozofik

Fakulteti Filozofik ofron 7 programe studimi në nivelin themelor/baçelor. Programet e ofruara janë:

  • Histori – BA, 180 ECTS

Programi BA i Historisë, ofron mundësi studentëve për të zhvilluar aftësitë e nevojshme e të përfshihen në kërkime dhe analiza historike dhe për të angazhuar të tashmen duke eksploruar dhe interpretuar të kaluarën. Departamenti kultivon tek studentët aftësitë e nevojshme për t’u bërë mendimtarë dhe qytetarë kritikë dhe të pavarur, duke dhënë aftësitë e nevojshme për pjesëmarrje të plotë dhe të suksesshme në shoqëri. 

Historia është baza e një qytetarie të ndritur, të shqetësuar dhe vetëkritike. Premisa e saj është se ne nuk mund të përgatitemi për të ardhmen pa e perceptuar dhe reflektuar saktë botën që kanë bërë paraardhësit tanë. Në këtë kërkim, Historia ofron një kuptim më të mirë të vetvetes, praktikë në aftësitë thelbësore akademike liberale dhe njohuri për popujt dhe praktikat e tjera. 

Departamenti i Historisë kërkon të vazhdojë traditën e tij të përsosmërisë në mësimdhënie, duke i shërbyer studentëve që po përgatiten për një shumëllojshmëri karriera, duke përfshirë drejtësinë, biznesin, shërbimin publik dhe qeveritar, arsimin, historinë publike ose aktivizmin. Qëllimi kryesor i Departamentit të Historisë në edukim është t'u ofrojë studentëve një program interdisiplinar që do t'u shërbejë atyre në karriera të ndryshme. 

Për më shumë rreth programit, kliko: https://filozofiku.uni-pr.edu/page.aspx?id=1,60

  • Filozofi – BA, 180 ECTS

Programet e Filozofisë ofrojnë arsimimin dhe edukimin e studentëve në fushën e filozofisë, duke zhvilluar dhe afirmuar teoritë dhe konceptet filozofike dhe duke promovuar studimin dhe hulumtimin në këtë fushë, zhvillimin e mendimit kritik dhe kreativ mbi traditën filozofike dhe mbi çështjet më domethënëse  për  botën e  sotme, zhvillimin e burimeve njerëzore për aplikimin e të arriturave teorike dhe filozofike në jetën praktike, krijimin e kapaciteteve profesionale dhe intelektuale, të afta të marrin përgjegjësi qytetare mbi proceset shoqërore politike, sociale, kulturore, arsimore etj.

 

Objektivat kryesore të këtij programi janë:

  • të aftësohen studentët të shtrojnë pyetje dhe të ngrisin çështje, 
  • të shkruajnë, të analizojnë dhe të mendojnë në mënyrë logjike e kritike dhe, po kështu, të marrin pjesë në projekte dhe në institucione të ndryshme, të zhvillojnë njohuri të thelluara nga logjika dhe filozofia teorike, me anë të të cilave do të përmirësojnë kompetencat e argumentimit, të artikulimit dhe kompetencën racionale të kritikës si dhe të ballafaqohen me pozicionet e ndryshme filozofike; 
  • të marrin njohuri nga historia e filozofisë, me anë të të cilave arrihet një formim humanistik dhe aftësia për kuptimin, analizën dhe interpretimin e veprave filozofike dhe ballafaqimin me pikëpamjet dhe drejtimet filozofike; 
  • të arrijnë njohuri të koncepteve dhe teorive edhe nga filozofia praktike, me anë të të cilave mund të arrijnë një kompetencë të problematizimit dhe shqyrtimit të çështjeve etike e morale, si dhe reflektimit për veten dhe të orientimit social-moral.

Për më shumë rreth programit, kliko: https://filozofiku.uni-pr.edu/page.aspx?id=1,61

 

  • Sociologji – BA, ECTS

Programi i Sociologjisë është ndër programet e para në Universitetin e Prishtinës. I pozicionuar në kontekst dinamik social, historik dhe politik, studimet në Katedrën Filozofi-Sociologji filluan në vitin akademik 1971-1972. Nga kombi, etnia, klasa, kultura, gjinia, mjedisi, familja, sociologët në Departamentin e Sociologjisë studiojmë e hulumtojnë fenomenet që strukturojnë shoqërinë në Kosovë sot. Përpjekjet në Departamentin e Sociologjisë gjithmonë kanë qenë që në themel ta vendosë kërkimi dhe ofrimi i mundësive të shumëfishta për studentet që brenda dhe jashtë kurrikulës përgjatë studimeve  të përfshihen në kërkime empirike, në të gjitha fazat e hulumtimit kualitativ a kuantitativ. 

Ndërlidhja dhe bashkëpunimi me një numër të konsiderueshëm studiuesish dhe me qendra të ndryshme kërkimore ndërkombëtare si dhe zhvillimi i studimeve sociologjike rrënjosur në kontekstin vendor por në dialog me atë të vendeve të tjera mbetet ndër synimet kryesore të Departamentit të Sociologjisë. 

Zhvillimi i programit studimor të studimeve baçelor në fushën e sociologjisë ka kaluar nëpër një proces të koordinuar dhe gjithëpërfshirës. Specifikisht, kurrikulat dhe përmbajtjet e programit bachelor janë  zhvilluar me një koordinim të ngushtë mes bartësve të programit dhe bartësve të lëndëve të caktuara brenda programit. Programi i përmbush kriteret e Kornizës Kombëtare të Kualifikimeve dhe Kornizës për Kualifikimet në Hapësirën Evropiane të Arsimit të Lartë. Gjatë zhvillimit të këtij programi janë marrë në konsideratë edhe këshillat dhe rekomandimet e zyrtarëve nga Zyra për Zhvillim Akademik të Universitetit të Prishtinës, Prorektorit për Mësim dhe Çështje për Studentët, si dhe ato të zyrtarëve nga Agjencia e Kosovës për Akreditim.

Objektivat kryesore të këtij programi janë që studentët të:

  • Demonstrojnë zotërim adekuat të terminologjisë dhe konceptet kryesore në fushën e sociologjisë;
  • Demonstrojnë njohuri konsistente në njohjen e zhvillimit të sociologjisë, trendëve aktuale dhe faktorëve domethënës në këtë zhvillim; 
  • Njohin, krahasojnë dhe diskutojnë për shkollat dhe teoritë sociologjisë dhe kritikat ndaj tyre;
  • Njohin teknikat e hulumtimit në sociologji 
  • Demonstrojnë formim adekuat për formulimin e propozimeve bazike për hulumtime sociale;
  • Njohin dhe respektojnë standardet etike në hulumtim dhe raport me të tjerët;
  • Punojnë në ekip dhe respektojnë diversitetin njerëzor;
  • Tregojnë një nivel të kënaqshëm të zbatimit të njohurive nga sociologjia në jetën e përditshme;
  • Tregojnë nivel adekuat njohurish për çështje dhe tematika ndërdisiplinare.

Për më shumë rreth programit, kliko: https://filozofiku.uni-pr.edu/page.aspx?id=1,62

 

  • Psikologji – BA, 180 ECTS

Departamenti i Psikologjisë ka tashmë një traditë 20-vjeçare të përsosmërisë në mësimdhënie dhe hulumtime shkencore. Themeluar në vitin 2001, menjëherë pas luftës (1999), Departamenti i Psikologjisë ka kontribuar jashtëzakonisht në etablimin e profesionit të psikologut në Kosovë. Ofrimi i një planprogrami të studimeve BA të krahasueshëm me ato të universiteteve evropiane, rritja e cilësisë së hulumtimit shkencor, pjesëmarrja në projekte ndërkombëtare, puna me institucione dhe komunitete të ndryshme në vend, përgjigjja në kohën e duhur ndaj sfidave të ndryshme me të cilat përballet shoqëria, e bëjnë Departamentin e Psikologjisë sot një nga degët më të respektuara jo vetëm nga Universiteti i Prishtinës.

Departamenti i Psikologjisë në kuadër të programeve të tij akademike ka mision avancimin e psikologjisë si shkencë dhe profesionit të psikologut përmes arsimimit cilësor të studentëve të këtij departamenti, rritjes së kërkimeve shkencore në fushën e psikologjisë, formimit të vlerave më të mira qytetare dhe profesionale tek studentët, si dhe zbatimit të standardeve evropiane dhe ndërkombëtarizimit.

Misioni i programit bachelor në psikologji është avancimi i psikologjisë si shkencë dhe profesion përmes arsimimit cilësor të të pranuarve në këtë nivel studimesh, rritjes së kërkimeve shkencore në fushën e psikologjisë, formimit të vlerave më të mira qytetare te studentët, si dhe zbatimit të standardeve evropiane dhe ndërkombëtarizimit.

Objektivat e këtij programi janë që  studentët të:

  • Demonstrojnë njohuri konsistente në njohjen e zhvillimit të psikologjisë, trendeve aktuale dhe faktorëve domethënës në këtë zhvillim; 
  • Njohin, krahasojnë dhe diskutojnë për shkollat dhe teoritë psikologjike dhe kritikat ndaj tyre;
  • Demonstrojnë zotërim adekuat të terminologjisë në fushën e psikologjisë;
  • Njohin teknikat e hulumtimit në psikologji dhe demonstrojnë formim adekuat për formulimin e propozimeve bazike adekuate për hulumtim në këtë fushë;
  • Njohin dhe respektojnë standardet etike në hulumtim dhe raport me të tjerët;
  • Punojnë në ekip dhe respektojnë diversitetin njerëzor;
  • Tregojnë një nivel të kënaqshëm të zbatimit të psikologjisë në jetën e përditshme;
  • Tregojnë nivel adekuat njohurish për çështje dhe tematika ndërdisiplinare.

Për më shumë rreth programit, kliko: https://filozofiku.uni-pr.edu/page.aspx?id=1,63

 

  • Shkenca Politike – BA, 180 ECTS

Qëllimi i programit është të sigurojë edukim me cilësi të lartë në fushën e shkencave politike. Programi BA i Shkencave Politike daton që nga viti 2001. Në vitin 2009, programi BA riakreditohet dhe ridizenjohet në bashkëpunim me Universitetet e Salzburgut (Austri) dhe Pavia (Itali). 

Brenda këtij programi, lista e kurseve të propozuara kanë të bëjnë me nevojat e theksuara të punës të identifikuara në Kosovë dhe më gjerë.

Disa nga kurset kryesore të studimit janë si më poshtë: metodologjia politike; teori politike; e drejta ndërkombëtare; ekonomia ndërkombëtare; politika publike dhe diplomacia; marrëdhëniet ndërkombëtare; administrata publike; studime të paqes dhe konfliktit; shoqëria civile, etj. 

Gjatë hartimit të këtij programi, rekomandimet e mëparshme të ekspertëve të jashtëm u morën në konsideratë. Kështu, dy vitet e para të programit do të përqendrohen në kurset themelore të shkencave politike, ndërsa, në vitin e tretë, studentët do të kenë mundësinë të zgjedhin midis dy nënfushave të specializuara: A) Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Diplomaci; B) Administrim Publike.

Objektivat e këtij programi janë që  studentët të jenë në gjendje të:

  • kuptojë ndryshimin midis politikës si veprimtari dhe shkencës politike si një disiplinë akademike;
  • rrisë aftësitë për të menduar në mënyrë kritike dhe për të mundësuar një qytetari të angazhuar demokratike;
  • trajnojë studentët të shkruajnë dhe analizojnë politikat publike, të drejtat e njeriut, sundimi i ligjit, të drejtat e pakicave dhe qytetarinë demokratike;
  • përdorin me sukses metodat ndërdisiplinore të kërkimit shkencor shoqëror;
  • të kuptojë sistemet politike dhe kulturat politike të sistemeve përkatëse;
  • të kuptojë dhe analizojë zhvillimet historike në formimin e politikave të tilla si Bashkimi Evropian;
  • të dallojë dhe kuptojë mandatin dhe proceset e vendimmarrjes të institucioneve kryesore të Bashkimit Evropian;
  • kuptimi i rëndësisë së studimeve gjinore dhe promovimi i politikave të përfshirjes së grave në vendimmarrje;
  • kuptimi i koncepteve kryesore të kombit, shtetit dhe administratës publike në perspektivën krahasuese.

Për më shumë rreth programit, kliko: https://filozofiku.uni-pr.edu/page.aspx?id=1,64

 

  • Puna Sociale – BA, 180 ECTS

Departamenti i Punës Sociale u themelua në vitin 2012 dhe është institucioni i vetëm arsimor në Kosovë, që ofron studime Bachelor në Punë Sociale. Sot, Departamenti i Punës Sociale ka një numër të konsiderueshëm të aplikantëve dhe kjo tregon, që studentët e shohin atë edhe si një program, që ofron dije multi-disiplinare.

Plan-programi i Departamentit të Punës Sociale ngërthen disiplina të ndryshme dhe përbëhet nga fushat si metodat e punës sociale: puna me raste, puna me familje, puna në komunitet, puna me grupe të margjinalizuara; psikologjia, sociologjia, legjislacioni, të drejtat e njeriut, këshillimi psiko-social, praktika profesionale, etj.

Studentët e diplomuar mund të punësohen në Qendra të Punës Sociale dhe organizata të ndryshme qeveritare dhe jo-qeveritare në fushën e shërbimeve sociale si mbrojtja e fëmijëve, puna me familje, puna me të rinj, puna më të moshuarit, qendra korrektuese dhe rahabilituese për të mitur, puna me persona me nevoja të veçanta, strehimi familjar, strehimore për nëna dhe fëmijë, punë në komunitet, puna me grupet e margjinalizuara, puna me gratë që përjetojnë dhunë, organizata që punojnë në fushën e hulumtimeve, organizata që avokojnë për të drejtat e njeriut dhe ndryshim social etj.

Aktualisht departamenti regjistron 50 studentë për gjeneratë dhe kemi 7 gjenerata të pranuar në këtë drejtim deri tani, ku një përqindje e kënaqshme e studentëve kanë arritur që të punësohen institucione të përkujdesjes sociale, NGO, institucione komunale etj. Po ashtu një numër i studentëve ka arritur që ti vazhdojnë studimet master në vendet e rajonit dhe ato evropiane. Sidoqoftë, objektivi i departamentit është të fuqizojë nivelin baçelor dhe në të ardhmen e afërt të ofrojë dhe nivelin master si pjesë e studimeve bazë ne Punë Sociale, pjesë ë Fakultetit Filozofik.

Objektivat e Programit BA në Punën Sociale janë:

  • Ofrimi i programit cilësor të studimeve në Punën Sociale që do të ndihmoj studentët të veprojnë në fushat e Punës Sociale në Kosovë dhe më gjerë;
  • Ngritjen e mobilitetit të studentëve dhe mësimdhënësve në zonën evropiane të arsimit të lartë;
  • Identifikim, intervenim, dhe adaptimin e praktikave më të mira Evropiane në fusha të ndryshme të Punës Sociale në Kosovë;
  • Inkurajimin dhe zhvillimin e hulumtimeve në çështjet sociale sociale në shoqërinë kosovare për të informuar perspektiva të reja në mësimdhënie dhe politikën sociale në Kosovë; dhe
  • Ndërkombëtarizimin dhe rrjetëzimin e Departamentit të Punës Sociale me shkollat e Punës Sociale në rajon, Evropë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe më gjerë.

Për më shumë rreth programit, kliko: https://filozofiku.uni-pr.edu/page.aspx?id=1,65

 

  • Antropologjia Kulturore – BA, 180 ECTS

Programet studimore të Antropologjisë Kulturore, u mundësojnë studentëve të mësojnë për historinë e mendimeve dhe jetesës kulturore, trashëgiminë kulturore, të angazhohen në projekte të ndryshme antropologjike, si në vendore, ashtu edhe në ato të universiteteve ndërkombëtare. Si një nga hapësirat më dinamike dhe kreative në UP, Departamenti i Antropologjisë kulti­von e promovon studimin antropologjik të bazuar në qasje të kombinuar teorike dhe praktike, në kontekst të shumë debateve klasike dhe bashkëkohore brenda antropologjisë, shkencave shoqërore dhe dijeve humane në përgjithësi.

I themeluar në vitin 2001, me nismën e Prof. Dr. Drita Statovcit, dhe me përkrahjen e akademikëve dhe profesionistëve të shumtë, Departamenti është konsoliduar si programi i vetëm dhe i suksesshëm BA i antropologjisë në gjuhën shqipe. Në Departament, puna praktike është pjesë përbërëse e planprogramit të dy profileve, ku organizohet punë e vazhdueshme në terren, që prezantohet përmes seminareve, performancave, vizitave vrojtuese e intervistuese në terren, gërmimeve arkeologjike, restaurimit, konservimit, fotografimit, filmimit, ekspozitave dhe aktiviteteve të tjera.

Të fokusuar kryesisht në kontekstin historik dhe bashkëkohor kosovar, kërkimet tona janë po ashtu krahasuese dhe të përfaqësuara ndërkombëtarisht. Departamenti ka një numër projektesh kërkimore dhe marrëveshjesh shkëmbimi me universitete, institucione dhe organizata brenda dhe jashtë vendit, në fushës e antropologjisë dhe arkeologjisë. Në kuadër të këtyre projekteve, studentët aftëso­hen për hulumtime, punë praktike në terren, shkrim akademik dhe profesion. Po ashtu, studentët marrin njohuri në zhvillimin e argumentimit dhe analizës teorike të evidencës empirike dhe realizojnë punë me tema të ndërlidhura me gjuhën, familjen, racën, gjininë, artin, religjionin, shtetin, kombin, ligjet, bukën, veshjet, doket, zakonet, traditat.

Me anë të aktiviteteve kërkimore dhe pedagogjike në Fakultetin Filozofik (Programi i Etnografisë Vizuele, Arkivi për Video dhe Fotografi, Programi për Studime dhe Hulumtime Gjinore, Salla e Arkeologjisë, Instituti për Studime Sociale dhe Humanistike, Seminari i Antropologjisë), Departamenti i Antropologjisë krijon ndërlidhje në mes të akademisë, mësimit, dhe aplikimit të praksave në fusha të llojllojshme të punësimit.

Objektivat e Programit BA në Antropologji Kulturore  janë:

  • Studentët të cilët përfundojnë këtë nivel të studimeve posedojnë këto kompetenca profesionale:
  • Aftësinë për të identifikuar, hulumtuar, interpretuar dhe krahasuar relacionet shoqërore dhe kulturore, në kontekst ndryshimit nga e kaluara deri te sotmja
  • Aftësinë e përdorimit të metodave bashkëkohore të antropologjisë në realizimin e hulumtimeve në relacione shoqërore dhe sjellur shkrime etnografike, të dalura si rezultat i debateve të fundit në antropologji dhe shkenca sociale në përgjithësi
  • Aftësinë për të planifikuar dhe për të bërë gërmime arkeologjike, duke përfshirë kategorizimin, dokumentimin, përshkrimin dhe analizimin e objekteve të së kaluarës
  • Aftësinë të interpretojë kulturën materiale të së kaluarës dhe së tashmes, nën dritën e debateve aktuale antropologjike dhe arkeologjike
  • Aftësinë analitike dhe kritike të të kuptuarit të teksteve, materialeve, dhe ideve antropologjike
  • Aftësinë të diskutojë në mënyrë kritike çështjet e kulturës dhe diversitetit kulturor, në sferën publike dhe private
  • Përgatitje profesionale në hulumtim, interpretim dhe menaxhim të trashëgimisë kulturore, në kontekst krahasimtar
  • Përgatitje profesionale në këshilldhënie dhe menaxhim në institucione dhe organizata të ndryshme, duke përfshirë sektorin privat, publik dhe jo-fitimprurës
  • Përgatitje profesionale në përpilimin e projekteve, mbledhjen e historive gojore, përpilimin e dokumenteve strategjike për institucioneve kulturore, kurator në koleksionet e trashëgimisë, hulumtimin dhe hartëzimin e lokacioneve arkeologjike, prodhimin e filmave dhe fotografive etnografike
  • Aftësinë për tu angazhuar në projekte bashkëpunuese interdisiplinare me shkencat tjera shoqërore, humane dhe zhvillime teknologjike.

Për më shumë rreth programit, kliko: https://filozofiku.uni-pr.edu/page.aspx?id=1,66