Fakulteti i Filologjisë

Fakulteti i Filologjisë ofron nëntë programe studimi në nivelin themelor/baçelor. Programet e ofruara janë:

  • Gjuhë Shqipe – BA, 240 ECTS

Në Departamentin e Gjuhës Shqipe ofrohen studime për gjuhën shqipe, për varietetin standard të shqipes dhe varietetet e tjera dialektore. Studimi në Departamentin e Gjuhës Shqipe është mjaft i rëndësishëm, ngase studentët do të kenë mundësi t’i zgjerojnë dhe t’i thellojnë njohuritë e tyre në gjuhësinë teorike, sistemin gramatikor e fonetik të shqipes, strukturën e saj, si në planin sinkronik, ashtu edhe në planin diakronik. Po ashtu, studentët njihen edhe me konceptet dhe parimet e fushave të gjuhësisë aplikative, të cilat, në njërën anë, i aftësojnë studentët të kryejnë hulumtime shkencore gjuhësore të pavarura, ndërsa, në anën tjetër, u ndihmojnë edhe në shkathtësimin e tyre si mësimdhënës. Pra, i aftësojnë ata në mësimdhënien e gjuhës shqipe, qoftë si gjuhë e parë, apo si gjuhë e dytë. Rrjedhimisht, studentët e Departamentit të Gjuhës Shqipe, pasi t’i përfundojnë studimet, orientohen në mësimdhënie në institucionet arsimore në vend, por edhe në fushën e redaktimit e të lekturimit në medie e shtëpi botuese në vend.

Departamenti i Gjuhës Shqipe ka marrëveshje bashkëpunimi me universitete të ndryshme në botë, e posaçërisht me qendrat e Albanologjisë. Falë këtij bashkëpunimi, shumë studentë të departamentit kanë arritur që, nëpërmjet programeve të ndryshme, siç janë ERASMUS + dhe MeWlana Exchange Programme, disa semestra t’i kalojnë nëpër universitete të ndryshme, si: në Gjermani, Çeki, Poloni, Itali etj.

Për më shumë rreth programit, kliko KËTU.

 

  • Letërsi Shqipe - BA, 240 ECTS

Programi i Letërsisë shqipe (BA) vepron brenda strukturës organizative të Fakultetit të Filologjisë të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”. Prandaj, ky program i studimit është hartuar bazuar në parimet udhëheqëse të këtij institucioni. Programi BA është hartuar nisur nga nevojat e tregut të punës në Kosovë, i cili ofron disa mundësi punësimi: si mësimdhënës në ciklin parauniversitar, punonjës në institucione arsimore, në media (gazetar, lektor), përkthyes, nëpunës në administratë, etj. Departamenti i Letërsisë e ka hartuar këtë program të konceptuar si kualifikim themelor në Letërsi Shqipe, i plotësuar me lëndë që mundësojnë kualifikimin në fushën e metodikës dhe të didaktikës së letërsisë. Thelbin e kurrikulumit BA të “Letërsisë shqipe” e përbëjnë studimet letrare në tre komponentët e saj themelorë (Teori e letërsisë, Histori e letërsisë dhe Kritikë letrare), si dhe studime nga fushat e përafërta si: Letërsi botërore, Letërsi e krahasuar, Qytetërim, Histori e artit, Gjuhësi shqiptare, Gjuhë të huaja etj.

Për më shumë rreth programit, kliko KËTU.

 

  • Gjuhë dhe Letërsi Gjermane – BA, 240 ECTS

Programi BA “Gjuhë dhe Letërsi Gjermane” është konceptuar si kualifikim themelor në gjuhësi dhe letërsi gjermane, i plotësuar me lëndë që mundësojnë kualifikimin në fushën e metodikës dhe të didaktikës së gjuhës gjermane si gjuhë e huaj, pasi që një pjesë e konsiderueshme e të diplomuarve të Gjuhës dhe të Letërsisë Gjermane punojnë në institucione arsimore publike dhe private. Lëndët me zgjedhje mundësojnë zgjerimin dhe thellimin e njohurive në fusha të caktuara, varësisht nga interesimet. Programi ofron në nivel të barabartë përvetësimin e kompetencave teorike dhe praktike që mundësojnë angazhimin fleksibil në tregun e punës, por edhe studimin e mëtutjeshëm.

Thelbin e kurrikulumit BA “Gjuhë dhe Letërsi Gjermane” e përbëjnë gjuhësia (struktura e gjuhës), letërsia, historia e letërsisë, historia e kulturës dhe civilizimit, historia e gjuhës, konceptet dhe metodat e hulumtimit të gjuhësisë dhe letërsisë, përkthimi, teoria dhe praktika e tekstit, praktika gjuhësore (kursi praktik i gjermanishtes), metodika-didaktika e mësimdhënies së gjermanishtes si gjuhë e huaj.

Për më shumë rreth programit, kliko KËTU.

 

  • Gjuhë dhe Letërsi Angleze - BA, 240 ECTS

Programi BA “Gjuhë dhe Letërsi Angleze” është konceptuar si kualifikim themelor i përgjithshëm, i plotësuar me lëndë që mundësojnë kualifikimin në fushën e gjuhësisë, metodikës dhe përkthimit/interpretimit të gjuhës angleze si gjuhë e huaj dhe në fushë të studimeve letrare. Lëndët me zgjedhje mundësojnë zgjerimin dhe thellimin e njohurive në fusha të caktuara, varësisht nga interesimet e studentëve. Programi ofron në nivel të barabartë përvetësimin e kompetencave teorike dhe praktike që mundësojnë angazhimin fleksibil në tregun e punës, por edhe studimin e mëtutjeshëm.

Thelbin e kurrikulumit BA e përbëjnë gjuhësia (struktura e gjuhës), letërsia, historia e letërsisë, historia e kulturës dhe civilizimit, konceptet dhe metodat e hulumtimit të gjuhësisë dhe letërsisë, përkthimi, teoria dhe praktika e tekstit, praktika gjuhësore, metodika-didaktika e mësimdhënies së anglishtes si gjuhë e huaj.

Për më shumë rreth programit, kliko KËTU.

 

  • Gjuhë dhe Letërsi Frënge - BA, 240 ECTS

Programi i studimit Gjuhë dhe Letërsi Frënge në nivelin Ba është konceptuar si një kualifikim i përgjithshëm bazë, i plotësuar me kurse që mundësojnë kualifikimin në fushën e metodologjisë dhe didaktikës së gjuhës frënge si gjuhë e huaj. Të gjitha lëndët mësimore mundësojnë zgjerimin dhe thellimin e njohurive në fusha të caktuara, në varësi të interesave. Bërthama e kurrikulës BA përbëhet nga gjuhësia (struktura gjuhësore dhe përdorimi i saj), literatura, konceptet dhe metodat e kërkimit gjuhësor dhe letrar, teoria dhe praktika e tekstit, përkthimi, praktika gjuhësore, metodologji-didaktika e mësimit të frëngjishtes si gjuhë e huaj. Misioni i këtij programi është në harmoni të plotë me atë të Universitetit të Prishtinës. Dokumentet përkatëse mbi të cilat bazohet programi janë në përputhje me Kornizën Kombëtare të Kualifikimeve, sipas së cilës ky program studimi i përket nivelit të tij të 7 që përfshin përgatitjen e studentëve për nivele të tilla studimi dhe është gjithashtu në përputhje me Fushën Lëndore Erasmus.

Për më shumë rreth programit, kliko KËTU.

 

  • Orientalistikë - BA, 240 ECTS

Programi BA Orientalistikë është hartuar duke u bazuar në njohjen dhe studimin e trashëgimisë orientale në rajon, si dhe në ndërveprimet aktuale të komunitetit me botën e Lindjes. Kështu, ky program është i konceptuar si kualifikim themelor i përgjithshëm, i plotësuar me lëndë që mundësojnë kualifikimin në fushën e Orientalistikës.

Në këtë program mësohen gjuhët, letërsitë dhe kulturat arabe, turke dhe perse.

Rëndësia e programit BA Orientalistikë qëndron në atë se studentët që përfundojnë studimet në këtë departament kanë mundësi të njihen me gjuhët dhe kulturat e popujve të Lindjes islame, të mësojnë për trashëgiinë kulturore orientale në Ballkan dhe rajonet shqiptare, si dhe do të jenë të pajisur me dije dhe njohuri për interpretimin e shumë fenomneve kulturore e politike që ndërlidhen me Lindjen.

Përveç kësaj, studentët e Orientalistikës mund të vazhdojnë studimet MA, përpos në këtë departament (Studime kulturore orientale), edhe në departamentet e historisë, marrëdhënieve ndërkombëtare, islamistikës, antropologjisë, etj..

Për më shumë rreth programit, kliko KËTU.

 

  • Gazetari - BA, 180 ECTS

Ky program studimi është i balancuar në mes të pjesës teorike dhe praktike të punës në fushën e studimit. Studentët e këtij programi gjatë procesit arsimor zhvillojnë shkathtësi profesionale dhe aftësitë e tyre për dije teorike e zbatim të tyre në realitetin e shoqërisë sonë.

Disiplinat e këtij programi të studimit krijojnë mundësi që studentët të formojnë njohuritë dhe

kompetencat e nevojshme për fushën e studimit, dhe po ashtu, për fusha specifike të këtij programi, të cilat mbulohen me përmbajtjen e lëndëve përkatëse. Disa nga rezultatet e të nxënit që synon ky program janë:

  • Raportimi dhe shkrimi i lajmeve, përmes lëndëve Hyrje në Gazetari dhe Raportim,
  • Njohuritë themelore për Zhanret dhe për Etikën e Gazetarisë
  • Njohuritë për historinë e gazetarisë shqiptare dhe asaj evropiane
  • Mësimi i teorive kryesore të studimit të medias
  • Njohuri dhe shkathtësi për Radiogazetari në, për Gazetarinë e Televizionit dhe për Mediat e Reja e Portalet.

Për më shumë rreth programit, kliko KËTU.

 

  • Gjuhë dhe Letërsi Turke – BA, 240 ECTS

Si njësi bazë mësimore-kërkimore  Departamenti i Gjuhës dhe Letërsisë Turke zhvillon, administron dhe bashkërendon mësimdhënien dhe kërkimin shkencor në fushën e Gjuhës dhe Letërsisë Turke.

Programi BA i Gjuhës dhe Letërsisë Turke është hartuar nisur nga nevojat e tregut të punës në Kosovë, i cili ofron disa mundësi punësimi: si mësimdhënës, përkthyes, nëpunës në administratë, etj. Departamenti i Gjuhës dhe Letërsisë Turke, i cili vepron në kuadër të Fakultetit të Filologjisë, e ka hartuar këtë program të konceptuar si kualifikim themelor në gjuhësi dhe letërsi turke, i plotësuar me lëndë që mundësojnë kualifikimin në fushën e metodikës dhe të didaktikës së gjuhës turke si gjuhë amtare dhe e huaj, pasi që një pjesë e konsiderueshme e të diplomuarve të  Gjuhës dhe Letërsisë Turke punojnë në institucione arsimore (universitete, shkolla publike dhe private, kurse të gjuhës turke).

Për më shumë rreth programit, kliko KËTU.

 

  • Ballkanistikë – BA, 240 ECTS

Ballkanistika është programi më i ri në Fakultetin e Filologjisë. Programi u përgjigjet standardeve të Zonës Evropiane të Arsimit të Lartë dhe është hartuar duke marrë parasysh nevojat e vendit tonë dhe tregun e punës në fushën e gjuhësisë, përkthimit, mësimdhënies dhe komunikimit ndërgjuhësor dhe ndërkulturor.

Hartimi i programit është bazuar në hulumtimet përkatëse në fushën e komunikimit gjuhësor dhe përdorimit institucional të gjuhës në Kosovë, të cilat kanë dëshmuar nevojën për një program të tillë.

Me karakterin e dyfishtë të programit, studimet në këtë program përqendrohen në mësimin e shqipes, paralelisht me një gjuhë tjetër ballkanike, duke u mbështetur në faktin se ka një kërkesë të madhe në tregun e punës për përkthyes nga gjuhët e komuniteteve tjera në shqipen dhe anasjelltas. Komponenti i mësimdhënies i jep vlerë shtesë këtij programi të studimit, meqë nuk përjashtohet mundësia e orientimit të kuadrove të programit drejt mësimdhënies së gjuhëve ballkanike në mjedisin kosovar ose të mësimdhënies së shqipes në shkollat me mësim në gjuhë të komuniteteve.

Për më shumë rreth programit, kliko KËTU.