Publikohet numri i tretë i revistës “Karriera”

28 Dhjetor 2022
SHARE

Qendra për Zhvillim të Karrierës e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” ka publikuar sot numrin e tretë të revistës “Karriera”, e cila synon informimin, orientimin dhe edukimin në karrierë të studentëve dhe të diplomuarve tanë.

Revista “Karriera” ka për qëllim t’u ndihmojë të rinjve në udhëtimin profesional të tyre, duke u ofruar informacionet e nevojshme rreth punësimit, trendet në zhvillimin e profesioneve të caktuara dhe kriteret e tregut të punës.

Në fjalën përshëndetëse për revistën “Karriera”, rektori i UP-së, prof. Qerim Qerimi, shprehet se revista “Karriera” është një ndër shumë projekte që Qendra për Zhvillim të Karrierës e Universitetit të Prishtinës realizon, me qëllim lehtësimin dhe mbështetjen e rrugëtimit akademik të studentëve të UP-së.

“Ju të dashur studentë jeni baza e mirëfunksionimit të institucioneve tona dhe të shtetit tonë, andaj ne jemi të përkushtuar të shterojmë të gjitha burimet në dispozicion, për të pasuruar dijen dhe shkathtësitë tuaja dhe përditshmërinë tuaj me mundësi të reja. Roli aktiv i UP-së në shoqëri manifestohet më së miri nga kuadrot profesionale që dalin nga ky institucion, të cilët përbëjnë pjesën dërrmuese të tregut të punës në vend dhe jo vetëm”, ka thënë rektori.

Ky numër i revistës “Karriera” i kushtohet 15-vjetorit të themelimit të Qendrës për Zhvillim të Karrierës. Revista “Karriera” përfshin artikuj nga punëdhënësit rreth përgatitjes së studentëve për tregun e punës, artikuj me këshilla konkrete për zhvillim në karrierë, trendet e punësimit në fusha të ndryshme, intervista me punëdhënësit, artikuj nga bashkëpunëtorë vendorë e të huaj, statistika të hulumtimeve të QZhK-së, mundësitë për zhvillim në karrierë, shërbimet e QZhK-së për punëdhënësit, etj.

Për më shumë, ju ftojmë të lexoni revistën duke klikuar KËTU ose në platformën Issuu: https://issuu.com/qzhk/docs/revista_e_qendr_s_p_r_zhvillim_t_karrier_s_pdf_fi