Fakulteti i Filologjisë

Fakulteti i Filologjisë ofron dy programe studimi në nivelin e doktoratës. Programet e ofruara janë:

  • Gjuhësi - PhD, 180 ECTS

Ky raport është përpiluar si rezultat i vetëvlerësimit të Fakultetit të Filologjisë, i cili konkurron në Agjencinë e Akreditimit të Kosovës për riakreditim të programit PhD Gjuhësi (180 ECTS). Ky program i studimit ka ekzistuar si sistem mentorial deri në evoluimin e tij sipas ndryshimeve të përcaktuara me sistemin e Bolonjës dhe ka qenë i akredituar dy herë në formën e studimeve doktorale që nga viti 2013, ka pasur shumë përkrahje dhe është riakredituar në vitin 2016, dhe tash vazhdon interesim i madh i të rinjve për avancim dhe shkollim sipëror në fushë të gjuhësisë dhe të studimeve që lidhen me të.

Dokumentacionin me të cilin aplikon në AAK, Fakulteti i Filologjisë e ka përgatitur duke u mbështetur në listën kontrolluese të agjencisë, në udhëzimet e UP-së për vetëvlerësim dhe në dokumentet e tjera ligjore për mbarëvajtjen e programeve të përgjithshme të studimit të UP-së.

Në këtë proces të akreditimit të këtij programi, punën themelore rreth përgatitjes së materialit të aplikimit për akreditim e kanë udhëhequr dekanja e Fakultetit të Filologjisë, shefi i departamentit të Gjuhës Shqipe dhe prodekanja për cilësi dhe bashkëpunim ndërkombëtar, që të tre profesorë të rregullt ose asociuar në fakultet dhe doktorë të shkencave të filologjisë. Silabuset janë rifreskuar dhe strukturuar nga profesorët që tash e disa vjet me radhë kanë mbajtur mësim në këtë program të studimit me rëndësi vitale për Kosovën dhe rajonin në përgjithësi.

Kjo pasqyrë e shkurtër përfshin një përmbledhje vetëkritike të punës së Fakultetit të Filologjisë gjithnjë në bashkërenditje me kërkesat e AAK-së për riakreditim të programit. Janë marrë parasysh elementet e përbashkëta në nivel të fakultetit, të rëndësishme për programin konkurrues dhe që nuk janë në mandat vetëm të departamenteve apo të programit të studimit, si: orientimi i përgjithshëm i fakultetit, zgjedhja e personelit, menaxhimi i fakultetit, sigurimi i cilësisë, financimi, taksat e studentëve, shërbimi i studentëve, hapësira fizike dhe pajisjet etj., të cilave më pas u është shtuar programi konkurrues për t’u akredituar.

Këtij raporti i bashkëngjiten tabela e projekteve shkencore dhe e bashkëpunimit ndërkombëtar të Fakultetit të Filologjisë (lista e partneriteteve të UP-së në nivel qendror, pjesë e të cilave është edhe Filologjiku, mund të shpaloset në uebfaqe të UP-së). Si dokumente të veçanta në CD dërguar AAK-së, bashkëngjiten silabuset e të gjitha lëndëve të propozuara, CV-të e stafit potencial që janë paraparë të mbajnë mësim.

Për më shumë rreth programit, kliko KËTU.

  • Letërsi -PhD. 180 ECTS

Programi i studimeve të doktoratës është program i studimit që ofrohet në Fakultetin e Filologjisë dekada me radhë dhe është një segment i rëndësishëm i këtij institucioni. Për shkak të natyrës specifike të hulumtimit, është program që dallon nga studimet master dhe baçelor në rrafsh të prestigjit që ka krijuar vite me radhë, për shkak të rezultateve të rëndësishme që ka dhënë në fushë të letërsisë në përgjithësi e posaçërisht në fushë të studimeve krahasuese letrare dhe në veçanti në albanologji. Ky program shkencor ofrohet për të gjithë të diplomuarit e fushave të filologjisë: albanologji dhe letërsi, pastaj për të diplomuar në fushë të historisë dhe kritikës së artit, në studime të antropologjisë kulturore, të diplomuar në fusha humanistike që ndërlidhen me studime të letërsisë. Hulumtimi dhe studimet e thella të letërsisë me impakt për shoqërinë dhe për vetë shkencën e studimit të letërsisë mbeten prioritet i këtij programi.

Programi i doktoratës në fushën e letërsisë është ndërtuar mbi nevojën e arsimimit dhe të përgatitjes më të lartë të studiuesve të dalluar të kësaj fushe dhe mbi nevojën e arritjes së diturive që do t’u mundësojnë kandidatëve që, në mënyrë kreative dhe mbështetur në hulumtime konkrete, të zgjidhin probleme shoqërore të lidhura me letërsinë. Po ashtu, ky program mbështetet edhe mbi nevojën e ndërkombëtarizimit të punës kërkimore në universitet. Po ashtu, programi bazohet në studimet përkatëse të deritanishme në fushë të hulumtimit e studimit të letërsisë, të realizuara në Fakultetin e Filologjisë, duke u mbështetur në përvojën e gjatë të krijuar me studime, të ciklit të tretë në nivel të fakultetit, në hulumtimin dhe ekspertizën e stafit për t’i mentoruar kandidatët e studimeve të doktoratës si dhe me hulumtimin e vazhdueshëm të stafit dhe të kandidatëve në formë të kombinuar, për të arritur rezultate të caktuara shkencore në këtë fushë. 

Për më shumë rreth programit, kliko KËTU.