Rektori Arben Hajrullahu me komisioneren e tregtisë në Ambasadën e Kanadasë, Synthia Dodig, folën për shtimin e kontakteve dhe bashkëpunimin e Universitetit të Prishtinës me universitete kanadeze.
Zyrtarja e Ambasadës Kanadeze e njoftoi rektorin Hajrullahu se Kanadaja është anëtare e asociuar e programit të Bashkimit Evropian „Horizon” për hulumtime shkencore dhe inovacion, nga i cili kanë përfituar edhe profesorë të Universitetit të Prishtinës.
Universiteti i Prishtinës dhe universitetet kanadeze do të rrisin bashkëpunimin edhe në kuadër të Erasmus+, programit të BE-së që mbështet arsimimin, trajnimin, rininë e sportin.
Më 6 nëntor, Universiteti i Prishtinës për herë të parë në histori të tij, nënshkroi memorandum bashkëpunimi me Universitetin Carleton të Ottawa-s së Kanadasë.
Komisionerja në Ambasadën e Kanadasë Synthia Dodig, tha se Universiteti i Carletonit e ka një Departament të shkëlqyeshëm të Shkencave të Tokës — Gjeologjisë, me të cilin mund të bashkëpunohet.
Universiteti i Prishtinës së shpejti mund të ketë marrëveshje bashkëpunimi edhe me Qendrën për Studime Evropiane dhe Euroaziatike në Universitetin e Torontos.