Rektori Qerimi shpreh ngushëllime për humbjen e ish – rektorit, profesor Zenel Kelmendi

09 Gusht 2023
SHARE

E nderuara familje Kelmendi,

Me pikëllim e pranuam lajmin se ka ndërruar jetë ish-rektori, profesor Zenel Kelmendi, i cili dha një kontribut të çmueshëm për mirëfunksionimin e Universitetit të Prishtinës. 

Kelmendi i ishte bashkuar UP-së qysh në vitin 1972, kur u zgjodh asistent i lëndës së Kirurgjisë në Fakultetin e Mjekësisë, për të marrë vite më vonë gradën e profesorit ordinar nga ky institucion. Kulmin e angazhimit të tij në UP e arriti nga viti 1998, kur u zgjodh rektor i UP-së, funksion të cilin e ushtroi deri në vitin 2004, duke i shërbyer kështu institucionit dhe arsimit të lartë në vendin tonë. 

Përveç si rektor, profesor Kelmendi luajti rol të rëndësishëm edhe gjatë periudhës që shërbeu si dekan i Fakultetit të Mjekësisë, përgjatë viteve 1991-1996. Falë përkushtimit, profesionalizmit dhe kontributit të tij, ai la pas vetes një krijimtari të gjerë shkencore dhe profesionale, e cila vazhdon të jetë ndriçues dije për gjeneratat e reja në vazhdimësi. 

Në cilësinë e rektorit dhe në emër të universitetit, personelit akademik dhe studentëve, ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e më të dashurit tuaj.

I lehtë i qoftë dheu rektorit, prof. Zenel Kelmendit! 

Sinqerisht,
Prof. dr. Qerim Qerimi
Rektor