Një grup studentësh, të udhëhequr nga Ass. Sihana Hoxha nga Fakulteti Ekonomik, zhvilluan një vizitë në Administratën Tatimore të Kosovës, ku u takuan me zv.drejtorin e ATK-së, z. Sami Salihu. Studentët u informuan nga afër me punën në Administratën Tatimore të Kosovës dhe ndoqën direkt një sesion informues mbi kulturën organizative, të arriturat dhe sfidat e ATK-së.
Studentët e vitit të dytë dhe të tretë, që vijojnë ushtrimet në lëndën Financa Publike në Fakultetin Ekonomik, zhvilluan vizitë edhe në departamentet e tjera brenda ATK-së, në të cilat u diskutuan çështje me rëndësi rreth praktikës tatimore në Kosovë. Nga studentët pjesëmarrës u parashtruan pyetje të ndryshme në lidhje me punën dhe planet e ardhshme të AdministratësTatimore të Kosovës.
Interesimi ishte i nivelit të lartë, ndërsa mbështetja e dhënë nga institucioni i ATK-së, përmes përfaqësuesve të saj, u vlerësua të ishte adekuate nga pjesëmarrësit.
Ky aktivitet tradicional, i cili është pjesë e kalendarit vjetor “Vizitë në institucione dhe organizata”, u organizua nga Qendra për Zhvillim të Karrierës, në bashkëpunim me Administratën Tatimore të Kosovës.
![](/desk/inc/media/2C0C4B80-8486-44C0-AE4B-E7C79BE53B04.jpeg)
![](/desk/inc/media/0279A89E-D5BA-4728-BCFE-6F65174B4AF3.jpeg)
![](/desk/inc/media/8E1706D8-3245-4C49-997E-985A264AB309.jpeg)