Në kuadër të thirrjes së fundit të Programit CEEPUS (Central European Exchange Program for University Studies), u miratua projekti “Rrjeti i hulumtuesve”, i propozuar nga Fakulteti i Edukimit i Universitetit të Prishtinës me temë “Fuqizimi i dimensionit social të arsimit përmes hulumtimit për zhvillimin e edukimit cilësor të mësimdhënësve (SOCTED).
Rrjeti SOCTED synon të edukojë gjeneratën e ardhshme të profesionistëve të arsimit në hulumtime arsimore me kapacitetin për të forcuar dhe analizuar në mënyrë krahasuese si dhe influencuar dhe inovuar dimensionin social – edukimin për vlera - të arsimit në Evropën Qendrore. Ky projekt do të mundësojë shkëmbimin e hulumtuesve dhe studentëve për bashkëpunim në këtë fushë.
Në rrjetin e propozuar marrin pjesë këta partnerë institucionalë: Universiteti i Prishtinës, Fakulteti i Edukimit (Kosovë), (Koordinator i rrjetit), Universiteti i Gracit, përmes Institutit për Kërkime Arsimore dhe Edukim të Mësuesve (Austri), Universiteti i Zarës, Departamenti i Edukimit (Kroaci), Universiteti Ss. Cirili dhe Metodius në Shkup, Fakulteti Filozofik, Instituti Pedagogjik (Maqedonia e Veriut), Universiteti i Varshavës, Fakulteti i Edukimit (Poloni), Universiteti i Lubjanës, Fakulteti i Edukimit (Slloveni).
Ky është rrjeti i parë që do të koordinohet nga Universiteti i Prishtinës brenda programit CEEPUS.