Universiteti i Prishtinës, shënon një moment të rëndësishëm në historinë e tij, me anë të kësaj nisme për punë praktike është shënuar numër rekord i aplikimeve kjo edhe si rrjedhojë e dyfishimit të pagesës për studentët e angazhuar. Përmes këtij programi, UP-së i janë bashkangjitur rreth 160 studentë të angazhuar në kuadër të programit të praktikës me pagesë në zyrat administrative.
Mundësi kjo e cila ju ofrojë studentëve aktiv si dhe të diplomuarve BA dhe MA, rreth zbatimit në praktikë të aftësive teorike në fusha të ndryshme profesionale dhe administrative.
Rektori i UP-së, prof. dr Qerim Qerimi, në fjalën hyrëse theksoi rëndësinë e inaugurimit të programit dhe lidhjes që ky program mundëson studentëve me tregun e punës.
“Nga praktika me pagesë përfitojnë jo vetëm studentët, por edhe punëdhënësit dhe universiteti ynë. Studentët tanë fitojnë përvojë unike, të çmuar praktike, duke kapërcyer hendekun midis njohurive teorike që ata marrin dhe aplikimit të tyre në botën reale. Punëdhënësit kanë mundësinë të identifikojnë dhe investojnë në talentet e së ardhmes, ndërsa universiteti ynë kultivon lidhje më të forta me tregun e punës dhe zgjeron reputacionin tonë për prodhimin e gjeneratave të të diplomuarve shumë të aftë dhe të vlefshëm për tregun e punës.”- shtoi rektori.
Ceremoninë e përshëndeti edhe menaxheri i Personelit në Universitetin e Prishtinës, z. Fidan Hamiti duke shtuar se angazhimi në praktikë, studentëve u mundësohet zhvillimi profesional.
“Studentëve ju rekomandoj të shohin praktikën tuaj si një punë të vërtetë. Demonstroni profesionalizëm, përpikëri dhe integritet në çdo kohë. Ndërtimi i një etike të fortë pune dhe shfaqja e aftësisë suaj për t'u përshtatur me mjedise të ndryshme pune jo vetëm që do t'ju ndihmojë të lini një përshtypje te punëdhënësi, por gjithashtu do të rrisni gjasat për punësim në tregun e punës pas diplomimit” shtoi z. Hamiti.
Ndër të tjerash eksperiencën në zyrat administrative të UP-së i ndau me studentet , ish-praktikantja Mihane Fetahu, e cila vlerësoi lartë praktikën në universitet, praktikë kjo ku ka hapur dyer në rrugëtimin e saj profesional.
Ndërkaq Universiteti i Prishtinës i uron shumë sukses studentëve të angazhuar.