UP-ja dhe MKRS-ja nënshkruajnë memorandum për memorializimin e fëmijëve të vrarë gjatë luftës

16 Mars 2023
SHARE

Universiteti i Prishtinës dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit kanë nënshkruar sot memorandum bashkëpunimi për konsultimin dhe hartimin e dokumentit narrativ mbi memorializimin e fëmijëve të vrarë dhe të zhdukur gjatë luftës 1998-1999 në Kosovë.

Rektori Qerimi, në cilësinë e përfaqësuesit të UP-së, u shpreh i nderuar që ekziston mundësia që përmes kapacitetit profesional dhe ekspertizës që posedon UP-ja, të kontribuohet në një ndërmarrje monumentale, siç është memoralizimi i fëmijëve të zhdukur dhe të vrarë gjatë luftës. “Më e pakta që mund të bëjmë për ata fëmijë të vrarë dhe të zhdukur është që të mos i harrojmë dhe të gjejmë forma të shprehjes dhe akteve institucionale, historike, monumentale që ekzistenca e tyre të përkujtohet në përjetësi”, theksoi Rektori.

Ndërkaq, ministri Hajrulla Çeku tha që ky projekt është i rëndësisë se veçantë për shtetin dhe shoqërinë tonë. Ai ftoi të gjithë ata që duan të bëhen pjesë e këtij procesi dhe programi të kontaktojnë Ministrinë.

UP-ja do të bëjë emërimin e stafit përgjegjës për koordinimin e zbatimit të projektit të konsultimeve dhe emërimin e stafit përgjegjës për hartimin e narratives, do të konsolidojë metodologjinë dhe planin dinamik të konsultimeve me familjarët e fëmijëve të vrarë e të zhdukur, do rekrutojë studentët për realizim të intervistave, e aktivitete të tjera të nevojshme për implementimin e plotë të këtij projekti.

Memoriali synon nderimin dhe lartësimin e kujtimit për fëmijët e vrarë dhe të zhdukur gjatë luftës.