Universiteti i Prishtinës regjistron një rritje prej mbi 12 mijë citimesh sipas Cybermetrics Lab

31 Janar 2023
SHARE

Në përditësimin e fundit të muajit janar 2023, bërë nga Cybermetrics Lab, që është pjesë e Këshillit Kombëtar Kërkimor të Spanjës, Universiteti i Prishtinës ka regjistruar një total prej 56518 citimesh në “Google Scholar Citations”. Ky numër shënon një rritje prej 12288 citimesh nga publikimi i fundit i bërë në fund të korrikut të vitit 2022, në të cilin UP-ja ka pasur 44230 citime.

Modeli i ndjekur në këtë edicion, në kategorinë e transparencës, është mbështetur në mbledhjen e citimeve nga 310 top profilet publike të autorëve më të cituar, duke përjashtuar 30 të parët. Kjo metodë siguron pavarësi nga ndikimi i madhësisë së institucionit dhe përfaqësueshmëri nga profilet e mbetura.

Metrikat e tilla luajnë pa diskutim një rol të rëndësishëm, jo vetëm në renditje, por edhe në imazhin ndërkombëtar të universitetit.

Së fundi, rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. dr. Qerim Qerimi, ka takuar profesorët dhe profesoreshat me numrin më të lartë të citimeve në universitet, duke shprehur vlerësimin dhe mirënjohjen institucionale, si dhe duke transmetuar mesazhin se një rezultat i tillë është jo vetëm i arritshëm për kolegët, por i mundur për t’u lartësuar edhe më tej. 

Në funksion të përmirësimit të renditjes ndërkombëtare të Universitetit të Prishtinës dhe të përcaktimit të fuqisë reale kërkimore të tij, tashmë janë ndërmarrë edhe një numër veprimesh, duke përfshirë korrigjimin dhe regjistrimin e profileve të anëtarëve të personelit akademik me adresën zyrtare të universitetit në “Google Scholar”. Në mënyrë paralele, janë duke u ndërmarrë veprime, te tilla si krijimi i qasjes në databaza akademike dhe mbështetja për projekte kërkimore, me qëllim ngritjen dhe vlerësimin e punës shkencore në Universitetin e Prishtinës.