Mbahet provimi pranues për studentë të rinj në Fakultetin e Mjekësisë

23 Korrik 2022
SHARE

Është mbajtur sot provimi pranues për studentë të rinj për studimet themelore – baçelor në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Në këtë Fakultetet këtë vit do të regjistrohen gjithsej 470 studentë, në pesë programet studimore të tij. Numri i aplikantëve në këtë njësi akademike, si përherë, ka qenë i lartë.

E të rinjve që sot iu nënshtruan provimit pranues, sukses iu uroi rektori i UP-së, prof. dr. Naser Sahiti. Rektori i shoqëruar nga prorektori për zhvillim dhe cilësi, prof. ass. dr. Elton Bahtiri, dekanja e Fakultetit të Mjekësisë, prof. dr. Suzana Manxhuka – Kërliu dhe stafi i Fakultetit, ka vizituar sallat ku janë mbajtur provimet pranuese.
“Me të zgjedhur këtë Fakultet, ju keni vendosur të sfidoheni, por edhe të orientoheni drejt një të ardhme të ndritur. Ky Universitet është më i miri në vend dhe ju keni bërë zgjidhjen e duhur”, tha Rektori ndër të tjerash.

Të pesë programet e këtij Fakulteti figurojnë në top 15 programet më të kërkuara në Universitet të Prishtinës. Vetëm në programin Mjekësi e Përgjithshme, numri i aplikantëve është mbi 1 mijë.