Studentët diskutojnë rreth ndikimit të korrupsionit në arsimin e lartë dhe mënyrat ligjore për luftimin e tij

01 Qershor 2021
SHARE

Studentët e Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, në kuadër të Klubit të Etikës të këtij fakulteti, kanë organizuar tryezë diskutimi me temën “Ndikimi i korrupsionit në arsimin e lartë dhe kuadri ligjor për luftimin e tij”.

Panelistë të kësaj tryeze ishin: prorektori për zhvillim dhe cilësi në UP, prof. ass. dr. Elton Bahtiri, dekani i Fakultetit Juridik, prof. ass. dr. Avni Puka, Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj, prokurori i Shtetit nga ZKSH-ja, z. Besim Kelmendi, drejtori i ORCA-së, z. Rron Gjinovci, dhe koordinatori i Klubit të Etikës, z. Leotrim Pajaziti.

Të pranishmëve në këtë aktivitet u ka uruar mirëseardhje studenti Leotrim Pajaziti, i cili foli për objektivat dhe aktivitetet që Klubi i Etikës ka realizuar deri më tani.

Ndërkaq, prorektori Bahtiri ka theksuar që UP-ja është i vendosur në trajtimin e drejtë të rasteve të korrupsionit.
“Universiteti i Prishtinës është i vendosur që mosndëshkueshmëria për rastet e korrupsionit dhe të keqpërdorimeve të çfarëdo natyre të mos vijë në shprehje dhe në këtë kontekst zbaton masat dhe procedurat disiplinore për rastet e provuara, pavarësisht nga zhvillimi i procedurave gjyqësore për rastin e njëjtë,” ka theksuar prorektori.  

Në anën tjetër, dekani Puka ka përgëzuar studentët për organizimin e këtij aktiviteti, duke shtuar që, së bashku me studentët, do të angazhohet që tematikat e tilla t’i adresojnë në mënyrë sa më konkrete në të ardhmen. 

Tryeza e diskutimit ka vijuar me diskutim të hapur me studentët pjesëmarrës.