Vajzat e UP-së, kampione të Universiadës së Dubrovnikut

22 Dhjetor 2022
SHARE

Vajzat e Universitetit të Prishtinës kanë fituar vendin e parë në Universiadën e Dubrovnikut, në disiplinën e volejbollit.

Studentet e Fakultetit të Edukimit Fizik dhe Sportit, në këtë kompeticion tradicional të universiteteve të rajonit, mbajtur në Kroaci, kanë mposhtur universitete me traditë në sport, për t’u ranguar në vendin e parë të kësaj gare.

Për këtë triumf, të cilin e sollën në shtëpinë e tyre, Universitetin e Prishtinës, ato u përgëzuan nga rektori, prof. dr. Qerim Qerimi. Rektori Qerimi tha se UP-ja vlerëson punën dhe rezultatin e shënuar dhe shpreson që në të ardhmen do të jemi po kaq krenarë, e edhe më shumë, me sukseset e studentëve të këtij fakulteti.

Dekani i FEFS-it, Musa Selimi, tha se vajzat mposhtën ekipet nga universitete me traditë në sport. “Vajzat e UP-së dolën të parat, duke mposhtur universitete siç janë ai i Bukureshtit, Mariborit, Zenicës, Zagrebit e të tjera. Përveç vendit të parë, ekipi ynë ka fituar edhe çmimin për fair play,” tha dekani Selimi.

Universiada e Dubrovnikut është garë tradicionale, gjatë së cilës, në disiplina të ndryshme sportive, garojnë studentë të universiteteve të rajonit dhe më gjerë.