Studenti i UP-së fiton vendin e parë në kampionatin botëror të “Spartan – Abu Dhabi 2022”

14 Dhjetor 2022
SHARE

Studenti i Fakultetit të Edukimit Fizik dhe Sportit në Universitetin e Prishtinës, Shkëlqim Hetemi ka fituar vendin e parë në garat spartan, mbajtur në Abu Dabi të Emirateve të Bashkuara.

Në shkretëtirën e Abu Dabit, përtej 25 pengesave, në një distancë prej 10 kilometrash, Shkëlqimi ka arritur të mposhtë pjesëmarrësit e grupmoshave 25-29-vjeçare në një periudhë prej 1:57:38. Në kategorinë spartan super, ku fitues doli Shkëlqimi, morën pjesë 620 garues nga vende të ndryshme të botës.

Ai shprehet krenar për rezultatin e arritur në këtë garë. “Pas këtij rezultati qëndron puna dhe përkushtimi, andaj shpresoj që në të ardhmen do të marr pjesë edhe në gara të tjera e të dal edhe me rezultate më të mira”, theksoi Shkëlqimi.

Kampionati Spartan është ndër evenimentet më të mëdha sportive në sportin e fitnesit, ku vlerësohen fuqia, qëndrueshmëria dhe mirëqenia trupore.