Studentët e Fakultetit Juridik të UP-së, në mesin e 200 folësve më të mirë në garën ndërkombëtare të drejtësisë

21 Prill 2022
SHARE

Ekipi përfaqësues i Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” ka shënuar edhe një sukses të dalluar në rrafshin ndërkombëtar.

Studentët Eranda Zekaj, Nol Musa dhe Rinor Gjergji janë vlerësuar në mesin e 200 folësve më të mirë të vitit 2022, në kuadër të garës më të madhe të drejtësisë në botë “Philip C. Jessup International Law Moot Court Competition”. Në këtë ngjarje morën pjesë rreth 700 fakultete juridike, me gjithsej 3 mijë studentë për një vit.

Në listën e publikuar nga organizatorët e garës, vihet re se asnjë shtet në Evropë, me përjashtim të Austrisë dhe Gjermanisë, nuk ka pasur studentë më shumë se Fakulteti Juridik i UP-së në listën e 200 më të mirëve. Veç kësaj, krahasuar me rajonin, Fakulteti Juridik është paraqitur dukshëm më mirë, duke pasur më shumë studentë në listë se të gjitha shtetet e Ballkanit marrë së bashku, që kishin vetëm dy.

“Philip C. Jessup International Law Moot Court Competition” nga ky vit është nga tri garat që janë pjesë e programit të përhershëm të Fakultetit Juridik të UP-së për përfaqësim në garat ndërkombëtare më prestigjioze për studentët e drejtësisë.

Për më shumë detaje, përfshirë listën e plotë të studentëve shihni njoftimin e Fakultetit: https://juridiku.uni-pr.edu/page.aspx?id=1,37,1127.