Studentët e Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” organizuan një aktivitet, ku paraqitën punimet e tyre, të realizuara me tematikë luftën në Ukrainë.
Në këtë ngjarje, të kuruar nga profesori Xhevdet Pantina, ishin të pranishëm edhe ushtarët e Ukrainës në KFOR, të cilët shërbejnë si trupa paqeruajtëse në Kosovë. Sipas profesorit Pantina, ky aktivitet po shënohet me qëllim të solidiarizimit me popullin ukrainas.
![](/desk/inc/media/F9FD3F5B-E659-4E48-9243-6AAE7392B380.jpg)
Mbi 50 piktura të ndryshme iu dhuruan ushtarëve të Ukrainës. Përfaqësuesi i tyre, Ivan Nastenko, e vlerësoi lart këtë veprim të studentëve. “Është shumë e rëndësishme që të mos ndihesh i vetëm në këtë luftë kundër armikut. Mendoj që artdashësit e Kosovës e dinë më së miri rëndësinë e lirisë. Vetëm në liri mund të bëhet art. Ju premtoj që të gjitha punimet do të jenë frymëzim për ushtarët ukrainas që të arrijnë paqen në Ukrainë”, është shprehur Nastenko.
E lumtur që dha kontribut në këtë ngjarje u shpreh edhe njëra prej studenteve të këtij fakulteti, Ulpiana Kurtaj. Ajo tha se përmes këtyre veprave, kanë tentuar që të reflektojnë gjendjen e rëndë në të cilën është duke kaluar populli ukrainas.
Me këtë rast, ushtarët falënderuan studentët dhe popullin e Kosovës për mbështetjen e vazhdueshme që, sipas tyre, ua kanë ofruar gjatë këtyre ditëve.