Njoftim/ Thirrje për konferencën shkencore ndërkombëtare “Ndryshimet klimatike, resurset ujore dhe trajtimi i ujërave të ndotura”

26 Shkurt 2024
SHARE

Ndryshimet klimatike, sot konsiderohen pamëdyshje se janë shkaktuar si rezultat i aktiviteteve antropogjene, kryesisht përmes emetimit të gazeve, që e shkaktojnë efektin serrë. Ngrohja globale ka ndikim edhe në ndryshimin e sasive të reshjeve në rajone të caktuara, gjatë stinëve të ndryshme, me ç’rast shfaqen periudha të theksuara të thatësirës, rritje e numrit të valëve të nxehtësisë si dhe shfaqje e reshjeve me intensitet shumë të lartë në vende të caktuara. Pasojat e ketij fenomeni pritet të jenë kritike edhe në vendet e Europës Juglindore, ku përfshihet Kosova dhe Shqipëria.

Menaxhimi i burimeve ujore në të ardhmen paraqitet si një faktor shumë i rëndësishëm për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik të një vendi, sepse ai ndikon drejtpërdrejti në cilësinë e jetës së njerëzve në hapësira urbane dhe jo urbane si dhe në rendimentin e të ardhurave bujqësore dhe në biodiversitetin në përgjithësi.

Si rezultat i aktiviteteve të ndryshme humane, duke përfshirë edhe aktivitetet industriale dhe ato bujqësore, ndodh ndotja e tokës, ajrit, ujrave sipërfaqësorë, lumenjëve, liqeneve e deri ujrave detarë. Zvogëlimi i shkallës së ndotjes dhe trajtimi i ujërave të tillë dhe atyre që hidhen në hapësirat urbane me teknologjitë bashkëkohore, paraqet një sfidë, por edhe kërkesë imediate, në mënyrë që në të ardhmen të sigurohen sasi të mjaftueshme të ujit të pijshëm dhe për shfrytëzim për qëllime tjera.

Qëllimi i konferencës është pjesëmarrja e ekspertëve eminentë nga Kosova, Shqipëria, rajoni dhe më gjerë, të cilët do diskutojnë për pasojat që shkaktojnë ndryshimet klimatike, menaxhimin e pasurive ujore dhe metodat bashkëkohore të trajtimit të ujërave të ndotura.

Për më shumë informata klinkoni në linkun në vijim: https://ashak.org/njoftim-thirrje-per-konferencen-shkencore-nderkombetare-ndryshimet-klimatike-resurset-ujore-dhe-trajtimi-i-ujerave-te-ndotura/