Programi i Punës Praktike në KODE Labs, një mundësi për zhvillim në karrierë për studentët dhe të diplomuarit e UP-së

17 Janar 2024
SHARE

KODE Labs, mbajti një sesion informues për studentët dhe të diplomuarit e Universitetit të Prishtinës, ku u prezantua Programi i Punës Praktike në KODE Labs, ngjarja u zhvillua në ambientet e Qendrës për Zhvillimin e Karrierës.

Të pranishëm në këtë takim ishin studentë të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike dhe jo vetëm, të cilët përfituan nga mundësia për t'u njohur me metodën e aplikimit dhe avantazhet e Programit të Punës Praktike në KODE Labs, si një mundësi unike për të fituar përvojë në fushën e inxhinierisë, duke u ekspozuar  në një mjedis pune dinamik dhe inovativ.

Znj. Diellona Maloku, nga  KODE Labs, theksoi: Programi i Praktikës në KODE Labs është një program gjashtëmujor i cili do të zgjerojë njohuritë e studentëve dhe të diplomuarve për industrinë e ndërtesave inteligjente, sistemeve HVAC, IoT dhe sistemeve të tjera të ndërtesave. Gjithashtu, praktikantët do të kenë mundësinë të punojnë me klientët tanë globalë, si Empire State, Ford, Visa, Hines, direkt nga Prishtina.

Amisa Bejta, studente e programit master- Komunikacion Rrugor, në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike  theksoi: Programi i Punës Praktike në KODE Labs është një program me shumë mundësi zhvillimi në karrierë. Unë synoj të zhvilloj karrierën time përmes një kompanie ndërkombëtare dhe të kontribuoj në komunitet dhe nga kjo mundësi e Programit të Punës Praktike në KODE Labs, të zhvillohen më tej si profesionist në fushën e inxhinierisë.

Gjatë këtij prezantimi u shtjelluan në aspektin praktik çështjet që lidhen me procesin dhe qasjen ndaj programit të praktikës gjashtëmujore në KODE Labs, ku u shpjeguan metodat e punës, kontributi përmes projekteve në industrinë e ndërtimit dhe zhvillimi i projekteve në dobi të komunitetit.

Periudha e aplikimit mbetet e hapur deri më 21 janar 2024.