Thirrja për aplikim të studentëve në programet certifikuese të Qendrës për Energji dhe Qëndrueshmëri të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”

30 Janar 2023
SHARE

Qendra për Energji dhe Qëndrueshmëri e Universitetit të Prishtinës (QEQ) ju fton të bashkoheni në programet më aktuale dhe më inovative ndërdisiplinore në Universitetin e Prishtinës – programet certifikuese të QEQ:

  1. Energjia e Ripërtëritshme dhe Qëndrueshmëria
  2. Menaxhimi i Energjisë dhe i Mjedisit

Studio disa nga sfidat më aktuale në botë – ndryshimet klimatike, qëndrueshmërinë energjetike, mbrojtjen e mjedisit, menaxhimin e energjisë në komunitet dhe më shumë – me profesorë kryesorë nga Universiteti i Prishtinës dhe nga jashtë. Programet do të ofrojnë kurse të fokusuara nga shumë Fakultete. Të diplomuarit e programeve do të marrin certifikatë universitare krahas diplomës së tyre bachelor apo master.

Të drejtë aplikimi kanë studentët nga të gjitha Fakultetet e Universitetit të Prishtinës të cilët kanë të regjistruar së paku semestrin e dytë të studimeve bachelor si dhe të gjithë studentët e tjerë.

Për të marrë certifikatën e veçantë universitare Energjia e Ripërtëritshme dhe Qëndrueshmëria, dhe Menaxhimi i Energjisë dhe i Mjedisit studentët, brenda periudhës dy vjeçare, duhet të përfundojnë me sukses katër kurse nga lista e kurseve ndërdisiplinore të ofruara në QEQ (varësisht në cilin program janë regjistruar), përkatësisht të fitojnë 20 kredi ECTS. Çdo kurs do të ofrojë pesë kredi ECTS të cilat do të llogariten si shtesë e kredive të fituara në kuadër të programeve përkatëse të diplomimit të studentit.

Kurset që do të ofrohen këtë semestër në kuadër të programit Energjia e ripërtëritshme dhe qëndrueshmëria janë: Energjia Aternative (O), Energjia dhe Ndryshimet Klimatike (Z), Proceset e gjelbra për qëndrueshmëri (Z), Ekoklimatologjia dhe biomasa (Z), Energjia diellore dhe fotovoltaiket (Z), E drejta ndërkombëtare për energji dhe mjedis (Z);  kurse në kuadër të programit Menaxhimi i Energjisë dhe i Mjedisit janë: Parimet e Menaxhimit të Energjisë, Esenca e Gjurmëve për Zhvillim të Qëndrueshëm (Z), Promovimi i Energjisë së Pastër dhe Përfshirja e Komunitetit (Z), Ekonomia e Projekteve të Qëndrueshme Energjetike (Z), Energjia Alternative (Z), Bazat e Qëndrueshmërisë Mjedisore (Z), Proceset e Gjelbëra për Qëndrueshmëri (Z) dhe Ekoklimatologjia dhe Biomasa (Z).

Tarifa e regjistrimit për programin certifikues është 25 Euro.

Studentët e interesuar për programet certifikuese mund t’i marrin të gjitha informatat në web-faqen e QEQ: https://qeq.uni-pr.edu/

Aplikimet e kompletuara dorëzohen në zyrat e QEQ (Administrata Qëndrore) deri më 24 Shkurt 2023.

Procedura e aplikimit realizohet përmes: https://studenti.uni-pr.edu/