Nis sesioni informues për maturantët

06 Qershor 2022
SHARE

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” ka mbajtur sot sesionin virtual me maturantë, me ç'rast pjesëmarrësit në takim u informuan me programet dhe mundësitë e studimit.

Hapjen e sesionit informues e bëri rektori i UP-së, prof. dr. Naser Sahiti. Në fjalën e tij, rektori Sahiti i falënderoi dhe përshëndeti pjesëmarrësit, njëherësh i ftoi maturantët që të bëhen pjesë e UP-së, si institucion me traditë 52-vjeçare në fushën e arsimit të lartë.

Të pranishëm në panelin e parë të sesionit informues ishin edhe prorektorja për mësimdhënie dhe çështje për studentë, prof. asoc. dr. Mimoza Ibrani, prorektorja për buxhet dhe financa, prof. dr. Mihane Berisha, prorektorja për bashkëpunim ndërkombëtar, prof. asoc. dr. Albulena Blakaj, dhe prorektori për zhvillim dhe cilësi, prof. ass. dr. Elton Bahtiri.

Prorektorja për mësimdhënie dhe çështje për studentë, prof. asoc. dr. Mimoza Ibrani, informoi maturantët mbi programet studimore. Ibrani potencoi se UP-ja ka mbi 150 programe të akredituara si dhe prin me numrin më të madh të stafit akademik, studentëve, projekteve shkencore dhe jo vetëm. Ajo theksoi se UP-ja është i vetmi institucion i arsimit të lartë në Republikën e Kosovës që ofron studime të doktoratës.

Pjesë e takimit ishin edhe zyrtarë të Qendrës për Zhvillim të Karrierës si dhe nga Zyra për Marrëdhënie me Jashtë në UP, të cilët i informuan maturantët me mundësitë e ngritjes në karrierë si brenda ashtu edhe jashtë vendit.

Sesioni, gjatë gjithë kohës, ishte i shoqëruar me pyetje nga ana e maturantëve rreth programeve studimore, procesit të aplikimit dhe të tjera. Ata u njoftuan se UP-ja do të shpallë konkursin për pranimin e studentëve të rinj së shpejti dhe se për 14 fakultetet e UP-së do të mbahen sesione informuese, ku kanë mundësi të kuptojnë më shumë rreth fushës që synojnë të studiojnë.

Gjatë dites, sesioni ka vijuar me prezantimin e Fakultetit Filozofik, Fakultetit të Shkencave Matematike Natyrore dhe Fakultetit të Filologjisë. Nesër, sesioni do të vijojë me prezantimin e mundësive nga Fakulteti Juridik, ai Ekonomik dhe i Ndërtimtarisë. Agjendën e plotë e gjeni duke klikuar KËTU.