UP-ja renditet në vendin e 14-të në renditjen botërore universitare të platformës ndërkombëtare INSPIRELI për arkitekturë dhe inxhinieri civile

23 Maj 2024
SHARE

Universiteti i Prishtinës është renditur i 14-ti në renditjen botërore universitare të platformës ndërkombëtare INSPIRELI për arkitekturë dhe inxhinieri civile, në një renditje që ka përfshirë 1320 universitete nga e mbarë bota. 

Kjo renditje është falë suksesit të vitit të kaluar të studentëve të vitit të pestë të Fakultetit të Arkitekturës të UP-së, të cilët arritën rezultate të shkëlqyeshme në konkursin ndërkombëtar të studentëve “Inspireli”, duke fituar vendin e parë në tri nga gjashtë kategoritë me projektet e tyre në kuadër të resortitturistik "Miris Garden" në Zarë të Kroacisë. 

Projektet fituese, të cilat u përzgjodhën nga 163 projekte konkurruese prej 38 vendeve të ndryshme, u punuan nga Besjana Ramadani, Alma Sylejmani dhe Adissa Hajdari - qendër tregtare (mentore: prof. ass. dr. Arta Xhambazi); Era Pelaj, Ermonda Gashaj dhe Elton Bajramaj - projekti i hotelit (mentore: prof. ass. dr. Rozafa Basha); si dhe Lendrit K. Krasniqi, Lirigzon Olluri dhe Albion Hetemi - projekti i apartamenteve (mentore: prof. ass. dr. Rozafa Basha).

Ky konkurs, i nisur nga “Inspireli”, ofroi jo vetëm një mundësi të rëndësishme arsimore, por edhe rriti ndjeshëm ekspozimin global të studentëve ndaj zhvillimit të praktikës arkitekturore.

“INSPIRELI World Architecture University Ranking” mbështetet në aktivitetin e studentëve dhe suksesin ndërkombëtar në kontekst krahasimtar global. 

Renditja e plotë mund të gjendet në lidhjen elektronike në vijim: https://www.worldarchiranking.com/en/