Akreditohet programi master në Psikologji Klinike dhe Komuniteti

29 Gusht 2023
SHARE

Studimeve master në Departametin e Psikologjisë në Universitetin e Prishtinës, u shtohet edhe një program studimi, master në Psikologji Klinike dhe Komuniteti.

Misioni i programit master në Psikologji Klinike dhe Komuniteti është formimi i kuadrove adekuate për të ushtruar profesionin e psikologut klinik dhe të komunitetit.

Profilet do të dalin jashtë formimit tradicional formal të psikologjisë klinike dhe do të shkojnë përtej punës komunitare, në mënyrë që parandalimi dhe intervenimi të shkrihen natyrshëm në kompetencat e kuadrove profesionale që do të përgatiten.

Programi ka të bëjë me studimin e ndryshimeve pozitive për njerëzit dhe grupet e cenueshme dhe të margjinalizuara. Fokusi nuk është vetëm tek individi, por edhe te ndikimi i faktorëve shoqërorë në jetën e tyre.

Programi në parim është program akademik shkencor me një pjesë të konsiderueshme të punës praktike. Programi synon të edukojë psikologë që janë të gatshëm të kontribuojnë në shkolla, qendra të shëndetit mendor, organizata dhe qendra për punë sociale, si dhe në komunitetin e gjerë.

Të gjithë të rinjtë të interesuar për studime në fushën e psikologjisë klinike dhe komunitetit, së  shpejti mund të aplikojnë në programin e ri të UP-së.