VentureUP, vendi ku u ngritën 57 biznese të reja

01 Gusht 2023
SHARE

Qendra e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë e Universitetit të Prishtinës – VentureUP, nga viti 2017, shërben si urë lidhëse ndërmjet edukimit të lartë dhe tregut të punës. Ndër synimet parësore të saj janë integrimi i lehtë i studentëve në tregun e punës dhe themelimi i bizneseve start up nga ana e tyre.

Në VentureUP rreth 500 studentë kanë përfunduar programin e inkubimit e nga ta janë krijuar gjithsej 57 biznese të reja. Këto biznese të reja kanë ofruar zgjidhje për probleme të ndryshme të shoqërisë, ndër to: udhëtim me kosto më të ulët, mbrojtje të mjedisit, menaxhim, mbështetje për shëndet mental e fizik, e të tjera. Dhe më e rëndësishmja, një pjesë e tyre janë biznese, të cilat janë të krijuara nga gratë. Disa nga bizneset e suksesshme në treg, e të cilat kanë qenë pjesë e programeve të VentureUP janë:

  • Merr Udhë - Platforma dhe aplikacioni që bën bashkë vozitësit dhe udhëtarët me destinacione të përbashkëta dhe e cila shfrytëzohet nga 30 mijë anëtarë;
  • Eco Solution Research – Biznes i udhëhequr nga vajzat, që mundëson riciklimin e mbetjeve ushqimore dhe prodhimin e plehrave organikë dhe gazit;
  • Te Pema - Biznes që mundëson vendosjen e fasadave të gjelbra nëpër hapësira, me qellim të uljes së shpenzimit të energjisë për ftohje;
  • Codon - Platforma online që mundëson menaxhimin e institucioneve shëndetësore;
  • Hajde folim - Biznes i udhëhequr nga vajzat që, përmes platformës online dhe aplikacionit, ofrojnë  mbështetje rreth shëndetit mendor.

Rezultatet e VentureUP, sipas rektorit Qerim Qerimi shpërfaqin punën e bërë drejt realizimit të zotimeve dhe përpjekjeve për ta zhvilluar e shndërruar UP-në në një qendër të inovacionit dhe ekselencës.

Si rezultat i punës në VentureUP dhe në bashkëpunim me shumë partnerë vendorë dhe ndërkombëtarë, kjo qendër është bërë adresa e parë dhe kryesore për ndërmarrësit e rinj në Kosovë, të cilët dëshirojnë të zhvillohen dhe themelojnë biznese të reja inovative, të ngritin shkathtësitë e tyre, si dhe sigurojnë punësim në tregun e punës.