Për herë të parë, Universiteti i Prishtinës do të ndajë bursa për studentë ndërkombëtarë

28 Korrik 2023
SHARE

Të rinjtë nga vende të ndryshme të botës të cilët nga viti i ardhshëm akademik vendosin të studiojnë në Universitetin e Prishtinës, do të përfitojnë bursë studimore nga institucioni. Në mbledhjen e fundit të Këshillit Drejtues të UP-së, u miratua kërkesa për ndarjen e një buxheti në vlerë rreth 21 mijë euro, të dedikuar për bursa për studentët ndërkombëtarë.

Kjo paraqet një masë shtesë të Universitetit të Prishtinës të ndërmarrë më qëllim të ndërkombëtarizimit edhe më të madh të institucionit, i cili së fundi ka shënuar progres të rëndësishëm në këtë drejtim.

Vendimi për dhënien e bursave për studentët ndërkombëtarë pason vendimin për dhënien e bursave për herë të parë për studentë të nivelit master dhe të doktoratës, si dhe mbështetjes financiare të dhënë për studentët me aftësi të kufizuara.