“Menaxhimi i Integruar i Resurseve Ujore”, programi më i ri studimor në gjuhën angleze në Universitetin e Prishtinës

24 Korrik 2023
SHARE

Universiteti i Prishtinës, nga tetori i këtij viti, do të pranojë studentët e rinj në programin e studimeve master në Menaxhimin e Integruar të Resurseve Ujore në Kosovë në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit.  UP është institucioni i vetëm në vend, ofertues i studimeve të fushave të Menaxhimit të Integruar të Ujërave në Kosovë (MIRU). Ky program ofrohet në kuadër të Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit dhe është i akredituar për 3 vjet.

Në raportin e vlerësimit të jashtëm të programit të studimeve, ekspertët ndërkombëtar vlerësuan se programi i studimeve për Menaxhimin e Integruar të Resurseve Ujore, pjesë e Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit i plotëson standardet e vendosura nga AKA-ja në masën më të madhe (97%), për të filluar punën nga vitit akademik 2023/2024. Programi i studimeve MSc MIRU do të filloj punën me gjeneratën e parë të studentëve në tetor të vitit 2023 dhe do të organizohet në gjuhën angleze.

Programi i studimeve MSc MIRU është program i cili përfshin shumë fusha specifike shkencore brenda kurrikulës së vet, duke qenë pjesë e këtij programi mësimdhënës nga nëntë njësi akademike të Universitetit të Prishtinës, në bashkëpunim me Universitetin “Haxhi Zeka” të Pejës si dhe mësimdhënës nga Univesiteti TH Koln, Gjermani.

MSc MIRU, është mbështetur nga Skat Consulting Ltd. Branch in Kosovo dhe Zyra Zviceriane për Zhvillim. Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit mbetet i përkushtuar në përmbushjen e misionit dhe vizionit të tyre, përkatësisht strategjisë së zhvillimit të institucionit duke zhvilluar arsimin akademik dhe kërkimet shkencore në fushën e inxhinierisë së ndërtimit.