UP-ja miraton Rregulloren për Etikë në Kërkime Shkencore

27 Mars 2023
SHARE

Senati i Universitetit të Prishtinës, në mbledhjen e tij të fundit, ka miratuar Rregulloren për Themelimin dhe Parimet e Funksionimit të Komisionit për Etikë në Kërkime Shkencore.

Qëllimi i kësaj rregulloreje është të ofrojë bazën për themelimin dhe funksionimin e Komisionit për Etikë në Kërkime Shkencore, që përfshin punën me subjekte humane dhe kafshë. Komisioni për Etikë në Kërkime Shkencore ka rol kryesor për të siguruar që aktivitetet kërkimore të ndërmarra nga hulumtuesit, studentët dhe palët e treta që kryejnë kërkime në lidhje me subjekte humane dhe kafshe janë në përputhje me praktikën e mirë kërkimore dhe parimet etike dhe se respektohen gjatë gjithë kohës.

Komisioni, gjithashtu, siguron që stafi dhe studentët të zhvillojnë kërkimet e tyre në pajtim me dokumentet kuadër në nivel evropian dhe standardet më të mira ndërkombëtare.

Një rregullore e tillë është po ashtu një instrument i domosdoshëm dhe shumë i rëndësishëm në procesin e akreditimit të programeve të reja doktorale. 

Para miratimit, rregullorja ka qenë subjekt i diskutimit dhe komentimit publik.