UP-ja pjesë e nëntë institucioneve të arsimit të lartë, partnere në projektin EUPeace

10 Mars 2023
SHARE

Universiteti i Prishtinës është bërë pjesë e aleancës së universiteteve evropiane “European University for Peace, Justice, and Inclusive Societies” (EUPeace), duke u bashkuar me universitete të tjera prestigjioze, siç janë: Universiteti i Justus Liebig në Gizen, (Gjermani), Universiteti i Marburgut (Gjermani), Universitet Limoges (Francë), Universiteti i Bohemisë Perëndimore në Plisen (Çeki), Universiteti i Comillas (Spanjë), Universiteti i Kalabrisë (Itali), Universiteti i Mostarit (Bosnjë dhe Hercegovinë) dhe Uniersiteti Çukurova në Adana (Turqi).

Misioni ynë në këtë aleancë ka themelet e vendosura në Strategjinë Evropiane të Komisionit Evropian për Universitetet, e cila nënvizon rolin kyç të universiteteve në “promovimin e studimit të ligjit dhe ndërtimin e institucioneve të forta, promovimin e të drejtave të njeriut dhe normave e standardeve ndërkombëtare”. Njëherësh, edhe në shumë dokumente aktuale të politikave të nxjerra nga organet e BE-së që theksojnë rolin e institucioneve të arsimit të lartë dhe kërkimit në nxitjen e paqes, drejtësisë dhe shoqërive gjithëpërfshirëse. Kjo iniciativë ndërlidhet edhe me agjendën e OKB-së - 2030, e cila nënvizon se "zhvillimi i qëndrueshëm nuk mund të realizohet pa paqe dhe siguri”.

Ne kuadër të kësaj aleance do të zhvillohen përvoja të përbashkëta dhe novatore të mësimdhënies dhe të mësimnxënies, në të cilat studentët, pavarësisht nga programi i tyre studimor, mësojnë të kuptojnë shkaqet përfundimtare dhe të afërta të situatave të konfliktit – duke përfshirë aspekte të ndërvarësisë teknologjike dhe mjedisore, si dhë përfitojnë përvojë në atë se si të menaxhojnë konfliktet në mënyrë efektive.  

EUPeace përbëhet nga institucione të arsimit të lartë, si brenda Bashkimit Evropian (gjashtë institucione), njashtu edhe brenda Zonës Evropiane të Arsimit të Lartë (tre institucione). Kështu, konsorciumi pasqyron diversitetin e Evropës dhe kulturave të saj. Çdo anëtar në këtë partneritet, sjell një histori dhe ndjeshmëri specifike ndaj sfidave të paqes, drejtësisë dhe shoqërive gjithëpërfshirëse, të cilat vijnë nga konteksti i tij specifik dhe trajektorja institucionale.