Profesori i Universitetit të Prishtinës riemërohet në Komisionin e Venecias të Këshillit të Evropës

29 Shtator 2022
SHARE

Profesori i Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës, prof. dr. Qerim Qerimi, është riemëruar për një mandat të dytë si anëtar i Komisionit të Venecias së Këshillit të Evropës. Emri zyrtar i Komisionit të Venecias është Komisioni Evropian për Demokraci përmes Ligjit dhe ka aktualisht 61 anëtarë. Ky komision është organ këshillëdhënës i Këshillit të Evropës për çështje të lidhura me demokracinë, sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut, si dhe përbëhet nga profesorë dhe ekspertë të pavarur të këtyre fushave.                                                                                                  

Profesori Qerimi tashmë është i zgjedhur nga Komisioni i Venecias edhe si kryesues i Nënkomisionit për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare. Në këtë cilësi, ai është anëtar i Byrosë së Zgjeruar të Komisionit të Venecias, organit qeverisës të komisionit. Gjithashtu, profesor Qerimi ka shërbyer si raportues i angazhuar nga Komisioni i Venecias për një numër çështjesh, përfshirë për draft-kushtetutën e Kirgizistanit dhe një numër reformash legjislative të lidhura me Bullgarinë.

Në katër vitet e fundit, Komisioni i Venecias ka miratuar tetë opinione të ndryshme në lidhje me Republikën e Kosovës për çështje nga Projektligji për Aktet Juridike dhe Projektligji për Qeverinë e Republikës së Kosovës deri te, së fundmi, Projektligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme dhe Koncept Dokumentin për Vetingun e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, si dhe projekt-amendamentet kushtetuese për të njëjtën çështje.

Riemërimi i profesor Qerimit në Komisionit e Venecias paraqet një konfirmim shtesë të potencialit të stafit akademik të UP-së, jo vetëm si ekspertë vendorë, por edhe ndërkombëtarë.