Prorektorja Pranvera Breznica-Selmani nga Universiteti i Prishtinës, në kuadër të projektit Erasmus+, ka zhvilluar një vizitë të rëndësishme në Universitetin e Minhos. Gjatë kësaj vizite, ajo zhvilloi takime të rëndësishme me zyrtarë të lartë të këtij institucioni akademik, duke u fokusuar në potencialet për bashkëpunim në fushën e arsimit, kërkimit shkencor dhe inovacionit.
Gjatë bisedave me Filomena Soarse, prorektore për edukim dhe lëvizshmëri akademike, u diskutua nënshkrimi i marrëveshjes bilaterale dhe rritja e mundësive të bashkëpunimit institucional, si dhe sfidat me të cilat përballen dy universitetet dhe përvojat e tyre për t'i tejkaluar ato.
Me Guilherme Pereira, prorektor për vlerësim institucional dhe projekte të veçanta, u diskutua mundësia e ndërveprimit mes dy universiteteve, për të rritur kapacitetet e tyre në një gamë të gjerë fushash akademike.
Kurse, në takimin me zëvendësrektorin për kërkim dhe inovacion, Eugenio Campos Ferreira, u bisedua për potencialet për bashkëpunim në fushën e kërkimit shkencor dhe zhvillimit teknologjik.
Gjithashtu, ajo u takua edhe me Sandra Paiva, prorektore për projekte shkencore dhe menaxhim kërkimor, si dhe Antonio Salgado, hetues dhe koordinues i ICVS-Instituti i Kërkimeve të Shkencave të Jetës dhe Shëndetit.
Vizita e prorektores Breznica-Selmani në Universitetin e Minhos shërbeu për të thelluar lidhjet midis dy institucioneve dhe për të identifikuar sfidat dhe mundësitë për bashkëpunim të ardhshëm në fusha të ndryshme akademike dhe shkencore.