Trupi këshillëdhënës i Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë, në takimin e tij të dytë në Pestovë

18 Prill 2024
SHARE

Fakulteti i Bujqësisë dhe Veterinarisë ka vijuar me takimin e dytë të trupit këshillëdhënës në Pestova shpk. Kompani vertikalisht e integruar, partnere e Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë,  e cila ofron prodhimin e farës së patates, kultivimit të patates për konsum dhe përpunim, si shitjen dhe distribuimin e patates dhe produkteve të saj.

Z. Zenel Bunjaku, udhëheqës i Trupit Këshillëdhënës në Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë, iu uroi mirëseardhje të pranishmeve, duke i njohur ata me rendin e ditës. z. Bunjaku shprehu falënderimin për anëtarët e Trupit Këshillëdhënës të Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë, duke theksuar se iniciativa që takimet e trupit të zhvillohen në hapësirat punuese të kompanive, me këtë rast falënderoi kompaninë Pestova për mikpritjen e Trupit Këshillëdhënës në hapësirat e tyre të kompanisë, që jep një shembull të vlefshëm të partneritetit dhe qëllimit parësor të rrjetëzimit të bizneseve dhe kontributit në rishikim të programeve të studimit në Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë, në mënyrë që të reflektohen kërkesat e tregut të punës.

Në këtë takim nga menaxhmenti i Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë ishte prof. asoc. dr. Salih SALIHU, prodekan për çështje mësimore. Prof. Salihu vendosi theksin në hapat e mëtutjeshëm bazuar në rregulloren e funksionimit të këtij trupi dhe marrëveshjet në mes Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë dhe partnerëve nga sektori privat, duke e riadresuar nevojën e thellimit të bashkëpunimit në sigurimin dhe promovimin e programit të punës praktike për studentët e Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë.

Eksperti për marrëdhënie me sektorin privat nga aktiviteti i USAID “PARTNERITETET E SEKTORIT PRIVAT PËR FORCIMIN E ARSIMIT TË LARTË”, z. Ariel Shaban, në prezantimin e tij, trajtoi temat prioritare për kërkime dhe ekspertizë në sektorin e bujqësisë nga raporti i realizuar i vitit 2023. Nga këtu, pjesëmarrësit thelluan diskutimin mbi nevojat e përfshirjes së sektorit privat në dhënien e kontributit në hulumtime empirike, të cilat do të kenë një rol dual për studentët, duke krijuar një përvojë të vlefshme hulumtuese për ta.

Trupi këshillëdhënës shërben si mekanizëm komunikimi që inicion dialogun dhe bashkëpunimin në mes të sektorit privat dhe akademisë në aspektin e përditësimit të programeve të studimeve dhe përputhjes së kurrikulave me kërkesat e tregut. Trupi këshillëdhënës i Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë lehtësohet nga aktiviteti i USAID “PARTNERITETET E SEKTORIT PRIVAT PËR FORCIMIN E ARSIMIT TË LARTË”.