UP-ja dhe Universiteti i Arkansasit organizojnë konferencë për 25-vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë

28 Mars 2024
SHARE

Departamenti i Gazetarisë dhe Departamenti i Shkencave Politike në kuadër të Universitetit të Prishtinës, në bashkëpunim me Clinton School of Public Service në Universitetin e Arkansasit, kanë organizuar një konferencë për nder të 25-vjetorit të ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, me temën “Demokracia, të drejtat e njeriut dhe ndërtimi i paqes”.

Me fjalë rasti, të pranishmëve në këtë konferencë u janë drejtuar: Presidentja e Republikës së Kosovës, shkëlqesia e saj, Vjosa Osmani, ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, prorektorja për ndërkombëtarizim dhe shërbim akademik, Arta Basha-Jakupi, dhe zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi.

Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se ndërhyrja e NATO-s ka qenë një moment historik vendimtar në historinë moderne të njerëzimit. “Në 25-vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë duhet të reflektojmë për mësimet e marra nga e kaluara, sfidat të cilat i kemi tejkaluar, si dhe për progresin që e kemi arritur. Të rikonfirmojmë angazhimin tonë drejt një të ardhmeje më të ndritur për të gjithë njerëzit që e quajnë Kosovën shtëpinë e tyre”, tha Presidentja Osmani.

E ambasadori i SHBA-së, Jeffrey Hovenier, u shpreh se 25 vjet më parë bota dëshmoi një fushatë të tmerrshme të spastrimit etnik, të kryer nga regjimi serb në Kosovë dhe se është krenar për bashkëpunimin e deritanishëm që SHBA-ja ka me Kosovën. “Kanë kaluar 25 vjet që nga ndërhyrjet e NATO-s në Kosovë dhe afro 25 vjet që nga çlirimi i Kosovës. Njerëzit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë qenë, janë dhe do të vazhdojnë të jenë krenarë, duke qëndruar krah për krah me njerëzit e Kosovës”, u shpreh ambasadori Hovenier.

Ndërsa ish-gjenerali, Wesley Clark, përmes një video mesazhi, ka thënë se është shumë krenar për gjithçka që Kosova ka bërë gjatë gjithë progresit ekonomik dhe atij politik. “25 vjet më parë, unë isha komandant i NATO-s kur filluam operacionet për t’i dhënë fund spastrimit etnik në Kosovë. Sot, 25 vjet më vonë, unë jam shumë krenar për gjithçka që Kosova ka bërë gjatë gjithë progresit ekonomik dhe politik për pavarësinë, për punën që ka bërë për të vendosur veten si një anëtar i Bashkimit Evropian dhe anëtar i NATO-s, të cilat shpresoj se do të ndodhin së shpejti”, tha Clark.

Në anën tjetër, prorektorja Arta Basha-Jakupi u shpreh se ndikimi i ndërhyrjes së NATO-s nuk mund të mbivlerësohet. Ai hapi rrugën për shfaqjen e Kosovës si një komb i pavarur dhe sovran, duke hedhur themelet për demokracinë, të drejtat e njeriut dhe paqen në rajon. Ajo vlerësoi lart edhe bashkëpunimin e UP-së me Universitetin e Arkansasit, të cilin e konsideroi si nxitje të ndryshimeve pozitive.

I pranishëm në konferencë ishte edhe prorektori për kërkime, projekte, inovacion dhe informacion prof. Sefer Avdiaj, si dhe zëvendësministrja Gashi, e cila tha se anëtarësimi i Kosovës në NATO është rruga më e sigurt për të ofruar stabilitet në rajon.

Gjatë kësaj konference dyditore, rreth ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë 25 vite më parë, ndërtimit të shtetit, sigurisë dhe paqes, studiues nga SHBA-ja, Kosova, Anglia, Gjermania, Shqipëria, Bosnja e Hercegovina, Zvicra e vende të tjera, do të diskutojnë në hapësirat e Universitetit të Prishtinës. Konferenca u organizua nga profesorët Arben Hajrullahu, Fakulteti Filozofik, Remzie Shahini – Hoxhaj, Fakulteti i Filologjisë dhe Christina Standerfer, Universiteti i Arkansasit, si rrjedhojë e bashkëpunimit në kuadër të programit Fulbright.