Rektori i UP-së, prof. Qerim Qerimi, mori pjesë sot në cilësinë e kryetarit të trupit gjykues në sesionin e fundit përgatitor dhe publik të ekipit të studentëve të Fakultetit Juridik, që do të përfaqësojnë UP-në në garën e të Drejtës Ndërkombëtare "Philip C. Jessup International Laë Moot Court Competition".
Rundet ndërkombëtare të garës zhvillohen në Uashington DC të SHBA-së dhe finalja e garës gjykohet edhe nga gjyqtarë të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Kjo garë është gara më e madhe dhe më e vjetër në botë e formës “Moot Court”, e cila për herë të parë është organizuar në vitin 1960.
Para rundeve ndërkombëtare, ekipi mori pjesë në rundet evropiane, këtë vit të organizuara në Bratisllavë të Sllovakisë. Në këtë rast, ekipi arriti të kualifikohej në çerekfinalen e garës, derisa anëtarja e ekipit, studentja Ema Guda, arriti të radhitej në mesin e 20 folësve më të mirë të garës.
Ekipi i Fakultetit Juridik përbëhet nga: Agon Drini, Ema Guda, Erduan Zariqi, Vesa Pula dhe Vinita Morina. Ndërkohë trajneret e ekipit janë pjesëmarrëset e suksesshme të vitit të kaluar: Ernesa Shala dhe Lea Meraku.
Universiteti vazhdon të mbështesë këtë dhe gara të tjera studentore, që jo vetëm përfaqësojnë ndërkombëtarisht universitetin dhe shpërfaqin vlerat dhe cilësitë e studentëve të UP-së në arenën ndërkombëtare, por shërbejnë edhe si përvoja unike mësimore e jetësore për vetë studentët pjesëmarrës.