UP-ja dhe “Pro Finance Home” nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi – Ofrohen bursa për studentë, praktika me pagesë dhe subvencionime të projekteve

25 Mars 2024
SHARE

Universiteti i Prishtinës dhe Institucioni Financiar Jobankar “Pro Finance Home” Sh.a. kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi për të rritur mundësitë studentore dhe zhvilluar kapacitetet institucionale. “Pro Finance Home” Sh.a. do të ndajë bursa për studentët e dalluar të UP-së dhe do të ofrojë mundësi të praktikës me pagesë.

Ky memorandum bashkëpunimi synon të mundësojë shkëmbimin e përvojave profesionale, trajnimeve dhe angazhimin e studentëve në aktivitetet e “Pro Finance Home” për një periudhë 5-vjeçare.

UP-ja dhe Institucioni Financiar Jobankar “Pro Finance Home” Sh.a. angazhohen për të zhvilluar aktivitete bashkëpunimi përmes një game të gjerë si: Mundësi të trajnimeve të studentëve, ndarje të bursave për studentë të dalluar, si dhe subvencionim të projekteve atraktive dhe me interes. 

Me këtë marrëveshje, palët shprehin vullnetin e tyre për të përgatitur dhe avancuar profesionistët e ardhshëm për tregun e punës në Kosovë.

Rektori i UP-së, prof. Qerim Qerimi, dhe drejtori i IFJB “Pro Finance Home” Sh.a, Refik Selimi, theksuan se ky bashkëpunim do të sjellë përparim në fushën e arsimit, shkathtësive praktike dhe shërbimeve publike në Kosovë, duke përgatitur dhe avancuar profesionistët e ardhshëm për tregun e punës në Kosovë dhe duke ofruar më shumë mundësi të trajnimit, punësimit, bursave dhe angazhimeve të studentëve për punë praktike në institucionin “Pro Finance Home”.