Në një ceremoni përkujtimore, të organizuar në ambientet e rektoratit, Universiteti i Prishtinës e nderoi me mirënjohje post mortem, prof. Sazana Çapriqin, me motivacion:
Për angazhimin dhe kontributin e vlerësuar të profesoreshës Sazana Çapriqi në zhvillimin e kritikës letrare feministe dhe në disiplina të tjera të studimeve letrare dhe kulturore për avancimin e perspektivës gjinore në universitet - post mortem.
Mirënjohjen e ndau rektori i UP-së, prof. Qerim Qerimi, i cili theksoi se profesoresha Sazana Çapriqi ka dhënë një kontribut të shquar në fushën e kritikës letrare feministe dhe në studime letrare dhe kulturore të tjera.
Ajo e ka orientuar hulumtimin e saj shkencor në fusha të reja të studimeve kulturore, letrare dhe gjinore, duke i trajtuar ato me një qasje ndërdisiplinore.
Veprimtaria e saj ka paraqitur një risi në studimet e shkencave shoqërore, duke theksuar nevojën për ndërlidhje të dijeve të ndryshme shoqërore që shpërfaqin konstruktin shoqëror të ideologjisë gjinore.
Gjithashtu, ka ndikuar në ndryshimet në diskursin akademik për çështjet gjinore në hapësirat shqiptare dhe ndërkombëtare.
Në nderim të veprës së saj u shpalosen kontributet e saj dhe u lexua poezi për të.
Të pranishëm në ndarjen e mirënjohjes post mortem ishin familjarë të prof. Çapriqit, prorektorë, dekanë si dhe shumë profesorë të UP-së.