Termokosi ndau bursa për studentët e UP-së

11 Mars 2024
SHARE

Në një ceremoni të organizuar në rektorat, ngrohtorja e qytetit "Termokos" ka ndarë 15 bursa për studentët e UP-së, nga Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike (FIM), Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike (FIEK) dhe Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit (FIN).  

Bursat u dorëzuan në prani të rektorit të UP-së, prof. Qerim Qerimi, nënkryetares së Komunës së Prishtinës, Jehona Lushaku-Sadriu, kryeshefit ekzekutiv të NP "Termokos", Fisnik Osmani, dekanëve të tri fakulteteve teknike, prorektorëve të UP-së, menaxhmentit dhe aksionarëve të ndërmarrjes, si dhe studentëve të zgjedhur për të përfituar nga bursat.

Në fjalën e tij, rektori Qerimi falënderoi NP "Termokos" për këtë nismë të rëndësishme dhe u shpreh i gëzuar për mundësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm dhe zgjerimin e këtij bashkëpunimi në të ardhmen, duke e përshkruar këtë veprim si një gjest shumë fisnik drejt përmirësimit të mundësive arsimore për studentët e UP-së dhe kontribut konkret drejt përgatitjes së kuadrit të ardhshëm profesional. Rektori ka inkurajuar edhe institucionet e tjera publike dhe partnerët e tjerë që të shqyrtojnë mundësinë e mbështetjes së studentëve përmes ofrimit të bursave dhe praktikave profesionale. 

Përzgjedhja e studentëve është bërë nga fakultetet përkatëse dhe vlera individuale e bursës është 700 euro.